Edhe pse Kuvendi i Kosovës po mbanë seancë ku pritet të votojë rrëzimin e qeverisë së tij, kryeministri Albin Kurti nuk do të jetë prezent aty.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, në një prononcim për media, ka thënë se kryeministri Kurti dhe një pjesë e kabinetit të tij mund të mos marrin fare pjesë në seancën për mosbesim të qeverisë.
Ai ka thënë se mospjesëmarrja e një pjese të kabinetit qeveritar në këtë seancë, po bëhet për arsye personale.
Se nuk do të marrë pjesë në seancë në një mënyrë e ka konfirmuar vet Kurti përmes një postimi bërë para pak minutash në Facebook.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk kam përgjegjësi më të lartë dhe më të rëndësishme sesa mbrojtja e shëndetit të të gjithë qytetarëve të vendit. Prandaj unë, bashkë me të gjithë Qeverinë time, jemi zotuar se do të veprojmë në përputhje të plotë me rekomandimet e ekspertëve të IKShP-së dhe, në veçanti, të drejtorit të tij, prof. Dr. Naser Ramadani”, ka shkruar ndër të tjera Kurti në Facebook, shkruan Reporteri.net.
Ndërsa kujtojmë se mbrëmë kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, mbrëmë ka deklaruar se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në seancën e sotme plenare.