Zëdhënësja e EPP-së në PACE: Serbia ta njohë realitetin e Kosovës – Prishtina ta themelojë Asociacionin

Prishtinë | 25 Jan 2023 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Asambleja Parlamentare e Këshillit të BE-së (PACE), në seancën e sotme, ka diskutuar për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ria Oomen-Rujiten, zëdhënëse e Grupit Parlamentar EPP/CD, tha se lufta e Rusisë në Ukrainë po e nxit edhe më shumë tensionin mes Serbisë dhe Kosovës.

“Një konflikt i ri në zemër të Evropës duhet të zgjidhet. Perspektiva dhe mirëqenia e njerëzve në këtë rajon po rrezikohet. Zgjidhje të qëndrueshme nevojiten. Dhe duhet të vijnë nga politikanë që marrin përgjegjësi për njerëzit që përfaqësojnë”, tha ajo, ndërsa shtoi se “Serbia duhet ta shohë realitetin e ri të pavarësisë së Kosovës, por edhe Prishtina duhet të realizojë Asociacionin” e komunave me shumicë serbe, raporton Klankosova.tv.

Përfaqësuesi grek në PACE, George Katrougalos, tha se Ballkani ka ende potencial shpërthyes, por që kjo nuk kufizohet vetëm në Ballkan.

“Në rastin e Kosovës ka njëfarë drite. Duket se pas deklaratës së fundit të presidenti serb që riekzaminon propozimet për normalizim, ndoshta dy palët mund të arrijnë një kompromis të zbatueshëm. Sepse është e dukshme se zgjidhja e vetme e mundshme është përmes dialogut, respektimit të tjerëve dhe kompromisit. Siç kanë treguar Greqia dhe Maqedonia me marrëveshjen e Prespës. I ashtuquajturi plan ‘franko-gjerman’ i cili thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë pjesëmarrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare, në këmbim të një forme, nëse jo të vetëvendosjes, së paku të vetëshprehjes, së pakicës serbe, mendoj se mund të jetë një prej mënyrave të mundshme të kompromisit. Jo e vetmja. Të dyja palët duhet të respektojnë plotësisht konventën kornizë të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave. Serbia është pjesë e saj, autoritetet e Kosovës duhet të përqafojnë në tërësi dhe të respektojnë provizionet e saj”, tha ai.

Në këtë seancë folën edhe përfaqësuesit e Shqipërisë, të cilët i dhanë mbështetje të plotë çështjes së Kosovës në raport me Serbinë, sikurse edhe ai i Ukrainës.

Të ngjashme