Zejnaj për krijimin e qeverisë së re: Nëse s’do të ketë trysni ndërkombëtare, ngërçi do të jetë afatgjatë

Prishtinë | 20 Mar 2025 | 08:04 | Nga Hasan Hoti

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të përballet me paqartësi politike, ndërsa formimi i qeverisë së re mbetet i pasigurt, përderisa ende nuk ka ndonjë marrëveshje ndërmjet partive politike për një koalicion qeverisës, raporton Ekonomia Online.

Analisti politik Argjend Zejnaj thekson rëndësinë e certifikimit të rezultateve për të avancuar në negociatat për formimin e qeverisë së re.

Sipas tij, ndërkohë, takime joformale po zhvillohen ndërmjet partive opozitare, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit.

Megjithatë, Zejnaj paralajmëron se posti i kryeministrit mund të jetë një pengesë kryesore në arritjen e një marrëveshjeje mes këtyre partive.

“Përderisa nuk kemi certifikim të rezultateve do të kemi të tilla takime, që po ndodhin. Edhe informatat që kemi ne na konfirmojnë që një takim i mundshëm është realizuar, ku janë diskutuar tema, skaleta e një bashkëpunimi të mundshëm ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. Por, siç e kemi thënë në të kaluarën, pozita e kryeministrit do të jetë pika, ngërçi kryesor, që mund të bëjë të pamundur një bashkëpunim të mundshëm ndërmjet partive opozitare të sotme”, ka thënë ai.

Zejnaj gjithashtu vëren se votuesit në zgjedhjet e 9 shkurtit kanë treguar se asnjë parti nuk duhet të qeverisë e vetme, duke theksuar nevojën për koalicione.

Ai shton se në mungesë të presionit dhe vëmendjes së shtuar nga SHBA-të dhe BE-ja, ngërçi politik mund të zgjasë. Sipas tij, moscertifikimi i rezultateve aktuale u jep partive politike një alibi për të mos hyrë në bisedime serioze për formimin e koalicioneve të mundshme.

“Kësaj radhe, populli më 9 shkurt ka vlerësuar se asnjëra parti nuk e meriton që të qeverisë më tutje e vetme dhe rrjedhimisht duhet të kemi parasysh edhe për koalicionet që duhet të ndodhin ndërmjet partive politike. Nëse nuk do të kemi trysni dhe vëmendje më të shtuar prej ShBA-ve dhe BE-së ngërçi do të jetë më afatgjatë. Nëse presioni shtohet mund të kemi në fillim të kësaj pranvere institucionet e reja.  Moscertifikimi i rezultateve po jep elemente dhe alibi partive politike që të mos ulen dhe të bisedojnë seriozisht për një koalicion të mundshëm me këdo që do të jetë më i përafërt”, tha analisti Zejnaj.

Të ngjashme