Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu, në seancën e sotme të kuvendit ka folur rreth situatës me mjekët dhe rritjes së rasteve me COVID-19.
Zejnullahu tha se rritja e rasteve me COVID-19 s’po e alarmon qeverinë, teksa përmendi edhe rastet kur shumë vaksinave kundër koronavirusit i ka skaduar afati.
Ajo paralajmëroi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po i del afati bashkë me partinë e tij.
“Për fat të keq, kjo gjendje s’po e alarmon qeverinë e cila fillon punën me disa vendime e e përfundon me disa të tjera, e të cilat s’po rezultojnë të suksesshme me pandeminë. Afati po i skadon VV-së, edhe ty Albin e afati do t’i kalojë edhe kësaj qeverisje të keqe”, është shprehur Zejnullahu.
Tutje, ajo foli edhe për pagat e mjekëve ku tha se paga prej 600 eurove për mjekët në Kosovë është nënçmim për ta, e prandaj edhe po ikin.
“Sipas raportit vjetor të Odës së Mjekëve të Kosovës, numri i mjekëve në vend është 4 mijë e 717 prej të cilëve 3 mijë e 595 janë në sektorin publik e 568 në atë privat. Ndërkohë që 511 mjekë janë të papunë. Shumica e të diplomuarve në tre vitet e fundit të cilët në moshën më të mirë po ikin nga ky vend”, është shprehur Zejnullahu, njofton Klankosova.tv.
Zejnullahu tha se eksodi i ikjes së trurit të Kosovës është rend në rritje, e kjo, sipas saj, mund të jetë e pritshme pasi siç tha ajo, pritjet e mëdha që ka krijuar Lëvizja Vetëvendosje e rezultatet e dobëta kanë krijuar dëshpërim e depresion kolektiv.