Zeka mbrohet në heshtje për njërën pikë të aktakuzës për shmangie nga tatimi e deklarohet për tjetrën, Krasniqi mbrohet në heshtje

Prishtinë | 31 Mar 2026 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për shmangie nga tatimi, ish-deputeti Milaim Zeka u mbrojt në heshtje për njërën pikë të aktakuzës, ndërkaq dha mbrojtjen për pikën tjetër, duke thënë se rastet ndaj tij janë iniciuar për motive politike. Kurse, i akuzuari Ilir Krasniqi u mbrojt në heshtje.

Zeka deklaroi se do të mbrohet në heshtje sa i përket pikës 2 të aktakuzës ku akuzohet në bashkëkryerje me Ilir Krasniqin për “Shmangie nga tatimi”, ndërsa tha se do të deklarohet për pikën 5 (e cila po ashtu ka të bëjë me shmangie nga tatimi, por jo në bashkëkryerje), raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjatë dhënies së mbrojtjes, Zeka deklaroi se kur kanë filluar hetimet dhe kur është ngritur kjo aktakuzë, ka qenë deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Kur kanë filluar hetimet kam qenë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kam filluar një komision hetimor për të gjitha hajnitë që kanë ndodhë në Postë Telekomin e Kosovës dhe Kompaninë Vala, në foltoren e Kuvendit kam fol me emra e mbiemra për shefa të lartë të kryesisë në Krimet Ekonomike, po edhe në ATK”, u shpreh Zeka.

Sipas tij, emri i personit që figuron në raportin hetues është Murat Mehmeti, për të cilën tha se kishte deklaruar edhe publiksht në televizion se ky person përveç që ka qenë i përfshirë në shumë afera të larta korruptive, ka iniciuar edhe këto raste ndaj Zekës për motive politike.

Po ashtu, Zeka tha se Qendrën e tij mediale “Mozaiku i Kosovës” e ka mbyllur vullnetarisht, ku ishin ardhur edhe zyrtarët e ATK-së dhe çdo gjë kishte qenë në rregull. Ai shtoi se është i habitur pse ATK-ja asnjëherë nuk e ka sjellë dosjen e plotë për mbylljen e Mozaikut.

Ndërsa në pyetjen e prokurorit të rastit Ali Ajdini, nëse nuk i ka deklaruar 67 mijë e 609 euro e 71 centë, Zeka tha se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Zeka, avokati Dren Kukaj propozoi që të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve ish-drejtori i RTK-së, Mentor Shala dhe Safet Krasniqi, zyrtar i lartë pranë ATK-së.

Avokati Kukaj tha se si mbrojtje konsiderojnë se të dy dëshmitarët do t’i shërbejnë jashtëzakonisht shumë ndriçimit të kësaj çështjeje penale, marrë parasysh përfshirjen e tyre drejtpërdrejt në aktivitetet e kompanisë së Milaim Zekës, në kohën kur pretendohet se është kryer kjo vepër penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 prill 2022 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-deputetit Milaim Zeka dhe dy të akuzuarve- Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu për veprat penale “Mashtrimi”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Pastrimi i parave”. Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Milaim Zekës dhe Ilir Krasniqit sa i përket veprës penale “Shmangie nga tatimi”, kurse pjesën tjetër të aktgjykimit të Themelores e ka vërtetuar.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 28 gusht 2018 ka ngritur aktakuzë me pretendimin se të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, kanë kryer disa vepra penale.

Krasniqi dhe Zeka akuzohen se prej vitit 2016 deri në mars të vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “I.K & M.Z. Op”, si agjenci punësimi. Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.

Tutje, thuhet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit Krasniqi, F.K, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

Krasniqi dhe Zeka akuzoheshin se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3 mijë e 50 euro, duke i ndarë proporcionalisht mes vete. Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83 mijë e 850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261 mijë e 850 euro.

Me këtë, Krasniqi dhe Zeka ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335 i Kodit Penal.

Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur, me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, me ç’rast akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

I pandehuri Ilir Krasniqi akuzohej po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta. Me ç’rast, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit Zeka dhe Kërliu, sipas Prokurorisë kanë kryer edhe veprat penale “Pastrim i parave”, “Mashtrimi” dhe për veprën penale “Shmangie nga tatimi”. Kurse, i pandehuri Zekaj akuzohet se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”. 

Të ngjashme