Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se shfuqizimi i task-forcës për luftimin e korrupsionit është vazhdim i veprimeve të kësaj qeverie për kapjen e shtetit.
Ai në Express Intervista të KTV-së ka thënë se në këtë task-forcë është investuar në vazhdimësi për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin.
“Kjo do të jetë njollë për Kuvendin e Kosovës. Paraditen e së hënës ne patëm raportin e EULEX-it i cili e lëvdoi këtë task-forcë”, ka thënë ai.
Zekaj ka thënë se duke i parë lëndët që ka qenë duke i ndjekur task-forca shihet se është tendencë për pengim të hetimeve ndaj zyrtarëve të partive të koalicionit që udhëheqin Qeverinë.
“Ne patëm edhe shkarkimin e drejtorit të Policisë, çdo gjë është e koordinuar. Qeveria aktuale ka hapur rrugë duke vendosur njerëzit e vet në këto pozicione që të mos pengohet në hetimin e zyrtarëve potencial të partive politike. Nuk ka gjykim për profilin e lartë që janë të involvuar në korrupsion”, ka thënë ai.
Sipas tij, abstenimi i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, lidhur me shuarjen e kësaj task-force nuk ishte e mjaftueshme për ta ndalur shuarjen e saj.
Ai ka thënë se këto lëndë që kanë qenë duke u hetuar do të ndahen tek hetuesit policorë, porse thotë se është skeptik që lëndët do të marrin përgjigjen e duhur.
“Reagimet e ndërkombëtarëve nuk janë duke u marrë seriozisht nga Qeveria e Kosovës. Kjo do të ndikojë edhe në liberalizimin e vizave dhe në çdo përafrim të Kosovës në institucionet e BE-së”, ka thënë ai.
Zekaj ka thënë se beson që Qeveria do të reflektojë në tërheqjen e këtij vendimi.
Ai ka thënë se ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë kanë qenë të vazhdueshme dhe nuk janë duke u ndalur ende.
Sipas tij, nuk do të ketë zgjidhje tjetër në sistemin e drejtësisë, përveç një vettingu të plotë.