Nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri thotë se qeveria e re do të angazhohet për një shtet ligjor, i cili do të zbardh të gjitha proceset e montuara gjyqësore.
“Pa shtet të së drejtës, nuk do të kemi as shtetë. Secili që ka shkelur ligjet patjetër duhet të përgjigjet !!! Nuk do të ketë drejtësi nëse edhe një qytetar i pafajshëm ose viktimë e regjimit vuan në burgje.
Patjetër duhet të zbulohen vrasësit e vërtetë të fëmijëve në Smilkovëe dhe porositësit e tyre. Patjetër duhet të zbardhet rasti i Sopotit, të gjenden vrasësit e vërtetë të Neshkovskit, e jo në burg të vuaj një njeri që nuk e ka kryer veprën.
Patjetër duhet të zbardhet rasti i Nikolla Mlladenovit, patjetër duhet të ketë përgjegjësi për 27 prillin dhe të zbulohet kush e vjedhur dhe plackitur shtetit dhe në kurriz të tij është pasuruar”, është shprehur Zekiri.
Vrasja e pesë maqedonasve, katër prej tyre të rinj rreth të 20-tave dhe e një peshkatari më të moshuar, që ka ndodhur pranë një liqeni artificial në veri të Shkupit, është cilësuar si akt terrorist me motive fetare dhe pesë persona janë dënuar me burgim të përjetshëm, Fejzi Aziri, Haki Haziri, Alil Demiri dhe Agim dhe Afrim Ismailoviq, që ndodhen në arrati.
Por, familjarët e të dënuarve asnjëherë nuk e kanë pranuar veprën duke akuzuar politikën të ketë gisht në këtë akt që është dënuar edhe nga vet ata. Por, pavarësisht kësaj si edhe pretendimeve tjera mbi pafajësinë e tyre, ata janë shpallur fajtor duke marrë dënimin maksimal.
Ngjarja mori dimension tjetër me paraqitjen e aferës së përgjimeve nga lideri i opozitës, Zoran Zaev, i cili pati deklaruar se nga bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve ka mësuar se të dënuarit për rastin “Monstra” janë të pafajshëm dhe se në këtë akt makabër kanë gisht struktura të caktuara që përmes nxitjes së tensioneve dëshirojnë destabilizimin e Maqedonisë.
Megjithatë, edhe dy vjet nga kjo deklaratë e vërteta nuk është zbardhur.
“Mendoj se bën marrëveshje VMRO-ja, BDI-ja dhe LSDM-ja që të mos publikojnë asgjë. Ne ndjehemi të mashtruar. Nuk kemi më asnjë shpresë edhe tek Katica Janeva (Prokurorja Speciale) pasi ajo na premtoi se do të jetë rasti i parë që do ta shqyrtojë por deri më tani këtë nuk e ka bërë. Pra, ende nuk ka asgjë nga drejtësia që na u premtua për zbardhjen e vrasjes së fëmijëve tanë”, thotë Goran Nakevski një nga familjarët e maqedonasve të vrarë.
Bedri Ajdari nga këshilli i familjarëve të dënuar thotë se shqiptarët dhe maqedonasit e zonës asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë konflikt mes veti, por se kanë jetuar në fqinjësi të mirë. Ai beson se bëhet fjalë për një rast tragjik të montuar me qëllim e vetëm nxitjen e tensioneve për synime të caktuara. Ai bën thirrje që ankesat e tyre sa më parë të shqyrtohet nga instancat e larta gjyqësore.