Disa persona kanë vdekur pas të shtënave që kanë ndodhur në dy xhamitë në qytetin e Christchurch të Zelandës së Re.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e përshkroi këtë si një nga “ditët më të errrëta” të vendit.
Policia ka thënë se gjithë ngjarja është në zhvillim e sipër dhe po hetohet prandaj edhe nuk ka dhënë një shifër të saktë se sa njerëz janë vrarë.
Në ndërkohë, zëdhënësi i Policisë ka njoftuar se për këtë rast tre burra dhe një grua janë në paraburgim derisa ka paralajmëruar se shumë të dyshuar të tjerë mund të jenë akoma të lirë.
Dëshmitarët u kanë thënë mediave lokale se kur kanë ndodhur të shtënat kanë vrapuar që të shpëtojnë jetët e tyre derisa kanë parë edhe njerëz të përgjakur në afërsit të xhamisë Al Noor.
Autoritetet kanë këshilluar që të gjitha xhamitë në qytet të mbyllen deri në një njoftim tjetër duke thënë se ky ishte një akt i pashembullt i dhunës.