Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se dëshiron të punojë me vende si Kina të cilat kanë “ndikim mbi Rusinë”, pasi vendi i tij përballet me një ofensivë të ashpër nga Moska, duke i kërkuar Pekinit të marrë pjesë në bisedimet e paqes muajin e ardhshëm në Zvicër.
Zelensky ka thënë në një intervistë për AFP-në të premten se udhëheqësi kinez, Xi Jinping e siguroi atë në një telefonatë se Pekini mbështet integritetin territorial të Ukrainës, megjithëse ai nuk bëri të ditur se kur u zhvillua biseda mes tyre, raporton CNN.
“Angazhimi i lojtarëve globalë si Kina është thelbësor sepse ata kanë ndikim në Rusi, dhe sa më shumë vende të tilla të kemi në anën tonë, aq më shumë Rusia do të duhet të lëvizë”, ka thënë Zelensky.
Deklarata e tij erdhi në kohën e vizitës dy-ditore të presidentit rus, Vladimir Putin në Kinë, gjatë së cilës të dy vendet u zotuan për bashkëpunim më të thellë strategjik.
Pekini nuk e ka dënuar kurrë pushtimin e Rusisë në shkurt të vitit 2022, përkundrazi ka pretenduar neutralitet në konflikt, duke lëshuar një qëndrim të paartikuluar prej 12 pikash për zgjidhjen e tij.
Përpara bisedimeve të pritshme të paqes në Zvicër muajin e ardhshëm, Xi ka bërë thirrje për negociata që marrin parasysh qëndrimet e të dyja palëve.
Samiti që do të mbahet në Zvicër ka marrë delegacione nga më shumë se 50 vende deri më tani, raportoi Reuters të enjten, duke cituar presidenten zvicerane, Viola Amherd.