Zelensky në Washington mes bllokadës në Kongres të ndihmave për Ukrainën

Prishtinë | 12 Dhj 2023 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Joe Biden dhe do të vizitojë Kongresin amerikan, në përpjekje për të bindur ligjvënësit që të ofrojnë më shumë fonde ushtarake për Ukrainën.

Zoti Zelenskyy do të takohet privatisht me senatorët dhe kryetarin e ri të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, para se të shkojë në Shtëpinë e bardhë për takimin me Presidentin Biden.

Vizita e udhëheqësit ukrainas vjen një ditë pasi bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi një fond prej 900 milionë dollarësh për Ukrainën nga programi i huasë prej 15.6 miliardë dollarësh i vendit.


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjatë një konference në Uashington me Drejtoreshën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva , më 11 dhjetor 2023.
Presidenti Zelenskyy falënderoi FMN-në dhe aleatët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij në luftë.

Fondi Mondetar Ndërkombëtar tha se ekonomia ukrainase vazhdon të tregojë “rezistencë të jashtëzakonshme” pavarësisht sulmit rus në shkurt të vitit 2022, me zhvillimet e fundit që tregojnë rimëkëmbje më të fuqishme ekonomike sesa pritej më 2023 dhe rritje të vazhdueshme më 2024.

Të hënën Presidenti Zelenskyy u prit me duartrokitje në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington.

“E gjithë bota po na shikon, po sheh se çfarë fati mund të kenë vendet e tjera të lira, të jetojnë në liri apo të nënshtrohen. Ukraina nuk është dorëzuar dhe nuk do të heqë dorë. Ne dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ju mund të mbështeteni tek Ukraina dhe shpresojmë se ne mund të mbështetemi tek ju”, tha zoti Zelensky gjatë fjalimit që pati para oficerëve ushtarakë amerikanë.

“Lufta e Ukrainës për liri është një nga kauzat e mëdha të kohës sonë. Shtetet e Bashkuara janë krenare që qëndrojnë përkrah jush. Dhe mos u mashtroni të mendoni ndryshe, angazhimi i Amerikës për të mbështetur Ukrainën kundër agresionit rus është i palëkundur”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Që nga vizita e zotit Zelenskyy në Uashington në shtator, Presidenti Biden i ka kërkuar Kongresit miratimin e një pakete prej 110 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin, si dhe përparësive të tjera të sigurisë kombëtare. Nëse do të miratohej, Ukraina do të merrte më shumë se 61 miliardë dollarë.

Por republikanët në Senatin amerikan e kanë kundërshtuar këtë projektligj, duke kërkuar ndryshime madhore për sigurinë e kufirit të Shteteve të Bashkuara.


“Është çmenduri”, tha senatori demokrat nga shteti Delauer Chris Coons për ngërçin. “Një mesazh shumë i keq për botën, për popullin ukrainas”, shtoi aleati i ngushtë i Presidentit Biden.

Deri tani, SHBA i ka siguruar Ukrainës 111 miliardë dollarë për luftën e saj kundër agresionit rus.

Moska tha se do të përcjellë “me shumë vëmendje” takimin midis Preisdenti Biden dhe atij ukrainas Zelenskyy.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha gjithashtu se “dhjetëra miliarda dollarë” të Uashingtonit për Kievin nuk kanë arritur të ndyrshojnë rrjedhën e luftës dhe se ndihmat e mëtejshme në mënyrë të ngjashme do të dështojnë./VOA

Të ngjashme