Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë urimit të tij për Krishtlindje për ukrainasit dhe njerëzit në mbarë botën. Kiev, dhjetor 2022.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve të tij që të qëndrojnë përballë sulmeve ruse, ndërsa vendi feston Krishtlindjen. Ai tha se “liria ka çmim të lartë, por skllavëria ka çmim edhe më të lartë”.
Sulmet ruse me raketa dhe dronë kanë lënë miliona ukrainas pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë të pijshëm.
Të shtunën, sulmet ajrore ruse vranë dhjetë persona në qytetin jugor të Ukrainës, Herson, thanë zyrtarët, duke shtuar se 68 persona të tjerë u plagosën.
Ukraina ka rimarrë Hersonin nga forcat ruse muajin e kaluar.
Shumica e ukrainasve janë të krishterë ortodoksë dhe festojnë natën e Krishtlindjes më 6 janar. Megjithatë, një numër në rritje i besimtarëve festojnë më 24 dhjetor, si shumica e të krishterëve në mbarë botën.
Në një fjalim me video drejtuar kombit të shtunën vonë, Zelensky tha: “Ne duruam në fillim të luftës, suruam sulmet, kërcënimet, shantazhet bërthamore, terrorin, sulmet me raketa. Le të durojmë këtë edhe dimër sepse ne e dimë se kundër kujt po luftojmë. Do t’i festojmë festat tona. Do do të jemi të lumtur. Dallimi është në një gjë: ne nuk duhet të presim mrekulli, duhet ta krijojmë atë vetë”, ka thënë ai.
Zelensky ka paralajmëruar për sulme të mundshme ruse gjatë sezonit të festave dhe u ka bërë thirrje ukrainasve që të jenë vigjilentë ditët në vijim.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt – lufta ka hyrë në muajin e saj të njëmbëdhjetë – dhe që nga tetori Rusia po kryen sulme ndaj infrastrukturës së energjisë, duke lënë miliona ukrainas pa furnizim me rrymë.