Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë sot se negociatat me Rusinë nuk mund të fillojnë para se të arrihet një armëpushim në mes të forcave ruse dhe atyre ukrainase, shkruan BBC.
Në një konferencë për media, Zelensky deklaroi se diplomatët e Ukrainës janë duke biseduar për disa pika që mund të jenë temë e trajtimit në një takim në mes tyre dhe zyrtarëve rusë.
“Diplomatët tanë janë duke punuar dhe ata kanë biseduar për disa pika të një agjende të mundshme mes nesh dhe Federatës Ruse. Unë dua që kjo të materializohet dhe procesi i përfundimit të luftës, procesi i paqes 100% duhet të fillojë me armëpushim”, tha Zelensky. .
Por udhëheqësi ukrainas thotë se është i hapur për diskutime me presidentin rus Vladimir Putin.
Ai shton se ka diskutuar mundësinë e negociatave që do të zhvillohen në Jerusalem me kryeministrin izraelit Naftali Bennett.
Duke iu referuar komenteve të Putinit se është bërë njëfarë progresi pozitiv nga negociatorët rusë dhe ukrainas, Zelensky thotë se është “i lumtur që shikon sinjalet nga Federata Ruse. Për 12 vitet e fundit, nuk kam dëgjuar kurrë fjalë për mundësinë e një dialogu”.