Presidenti Joe Biden e shfrytëzoi takimin e tij të parë me një udhëheqës të huaj që nga përfundimi i luftës në Afganistan për të dërguar të mërkurën mesazhin se Shtetet e Bashkuara, të çliruara nga “lufta e tyre e pafundme, janë të vendosura të bëhen një aleat më i besueshëm për miqtë e tyre, në këtë rast për Ukrainën.
Biden priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas Volodimir Zelensky, takim i dëshiruar prej kohësh nga Ukraina. Presidenti amerikan siguroi homologun se administrata e tij qëndron plotësisht përkrah vendit.
“Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës përballë agresionit rus, dhe aspiratave euroatlantike të vendit”.
Udhëheqësi ukrainas, i cili e gjeti veten për muaj me radhë të përzier në përpjekjet për shkarkimin nga posti të presidentit të mëparshëm, Donald Trump, erdhi në Shtëpinë e Bardhë me shpresën se Amerika do të ofrojë më shumë ndihma ushtarake dhe mbështetje për ambiciet e Ukrainës për anëtarësimin në NATO, raporton A2news.
“Dua gjithashtu të diskutoj me presidentin Biden, mbi vizionin e qeverisë së tij për mundësitë që Ukraina t’i bashkohet NATO-s dhe kornizave kohore për anëtarësimin, nëse është e mundur”. Takimi u shty dy ditë, ndërsa Presidenti Biden dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare ishin të përqendruar te tërheqja e ushtrisë amerikane nga Afganistani. Në bisedat kokë më kokë, dy udhëheqësit diskutuan vendimin e Uashingtonit për të mos bllokuar ndërtimin e tubacionit Nord Stream 2, i cili do të transportojë gaz natyror rus direkt në Gjermani, duke anashkaluar Ukrainën. Uashingtoni i ofroi Kievit 60 milionë dollarë ndihmë ekonomike Kievit, teksa përballet me sjelljen agresive të Moskës.