Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë për televizionin francez France 2, deklaroi se pasojat e luftës me Rusinë përbëjnë një kërcënim serioz për ekzistencën e shtetit ukrainas. Megjithatë, ai shprehu besimin se paqja mund të arrihet brenda një viti.
Zelensky gjithashtu komentoi marrëdhëniet e presidentit rus Vladimir Putin me udhëheqësit ndërkombëtarë, duke thënë se Putin nuk ka frikë nga liderët evropianë, por sipas tij frikësohet vetëm nga presidenti amerikan Donald Trump.
Ai theksoi se kjo është një fakt i padiskutueshëm dhe shtoi: “Çfarëdo që Trump t’i thotë Putinit, nuk është çështja jonë”.
Presidenti ukrainas rikujtoi gjithashtu se Trump ka shprehur dëshirën për t’i dhënë fund luftës përmes një kompromisi. Ukraina, tha ai, mbështet iniciativat amerikane për paqe, por nuk do të pranojë asnjë kompromis që cenon sovranitetin e saj.
Gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zelensky theksoi se vetëm demokracia nuk mjafton për ta ndalur Putinin, pasi sipas tij, ai nuk respekton rregullat dhe parimet e luftës.
Në intervistë, Zelensky kritikoi gjithashtu mungesën e presionit të mjaftueshëm ndaj Moskës dhe nënvizoi se çdo dialog me Rusinë duhet të zhvillohet mbi kushte të qarta, në mënyrë që të sjellë rezultate konkrete.