Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka deklaruar se shuarja e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka sjellë efikasitet dhe se këtij vendimi i ka paraprirë mungesa e analizës së duhur dhe e një programi të mirëfilltë studimi, raporton Ekonomia Online.
“Këtë nuk e themi nga një parti që ka qenë në ish-opozitë, por nga shqetësimet tona që jemi përballë në fillim të mandatit më 2021”, ka thënë ai.
Sipas Zemajt, shpërndarja e kompetencave të kësaj ministrie në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Shëndetësisë ka qenë joefektive dhe këto institucione nuk kanë arritur të adresojnë përgjegjësitë e reja, veçanërisht në trajtimin e skemave sociale dhe Qendrave për Punë Sociale.
Ai ka kritikuar mungesën e hapave konkretë për të mbrojtur punëtorët dhe për të avancuar të drejtat e tyre, si dhe mungesën e sigurisë në vendin e punës dhe trajtimin e ankesave të shumta.
“E kemi parë së fundi largimin e 280 punëtorëve nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës për një ditë dhe askush nuk jep llogari dhe asnjë siguri nuk është për ta dhe familjet e tyre, kjo është me të vërtetë për të ardhur keq dhe është fatkeqësi”, u shpreh ai.
Zemaj gjithashtu ka vlerësuar se vendimet e qeverisë së kaluar kanë qenë populiste dhe pa ndikim të qëndrueshëm.
“Po të kishin ndikim, nuk do kishim migrim, siç ka ndodhur nga viti 2021 deri më tani”, ka theksuar ai.
Sipas tij, situata është përkeqësuar për shkak se migrimi nuk po ndodh vetëm në shtresën sociale, por edhe te profesionistët e fushave të ndryshme.
“Çka është edhe më e keqja, nuk kemi vetëm migrim të pjesës sociale, por kemi edhe të asaj deficitare duke përfshirë edhe mjekë, infermierë, inxhinierë dhe njerëz të profesioneve të ndryshme”, ka thënë ai.
Zemaj ka shtuar se raporti i Institutit Kosovar për Drejtësi (IKD) mund t’i ndihmojë legjislaturës së re si pjesë kritike dhe përmbajtjesore.
