Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh deputet nga radhët e LDK’së, Armend Zemaj ka thënë se gjendja me pandeminë është rënduar shumë në vend.
I ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin ai ka thënë se situata me pandeminë nuk do të mund të vihet në kontroll pa pasoja.
Përndryshe, ai është shprehur se vet kryeministri Albin Kurti, në foltoren e Kuvendit u kishte kërkuar qytetarëve që të çlirohen se është mundur pandemia.
“Gjendja sot është rënduar shumë, kur them sot, ditëve të fundit, dhe në këtë fat të zi shumë njerëz kanë humbur jetën. Mosdëgjueshmëria e ka sjell këtë situatë ku nga keqmenagjimi dhe mospërgjegjësia ka dal jashtë kontrollit dhe është e vështirë të vihet në kontroll pa pasoja. Qeveria e Republikës së Kosovës, i pari i Shëndetësisë, i pari i Qeverisë doli në foltore të Kuvendit me mburrje dhe një lloj indinjate ndaj së kaluarës, apo me thënë me një lloj hipokrizie ju thanë qytetarëve, deputetëve të Kuvendit, çlirohuni se ne e mundëm pandeminë. Pa asnjë arsye, pas asnjë bazë”, ka thënë ai.
Zemaj është shprehur se përkundër paralajmërimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë se varianti Delta është i rrezikshëm, vetëkënaqësia për marrjen e pushtetit dhe paaftësia për të menaxhuar gjendjen me pandeminë ka ndikuar në situatën e tanishme me pandeminë.
“Vetëkënaqësia për marrjen e pushtetit dhe paaftësia për të menaxhuar një situatë lufte me një virus tinxarë, të tmerrshme dhe karakteristikat e një poliralizimi të skajshëm në kryerjen e detyrave të punës, dhe më shumë një garë me të kaluarën, apostrofimi i asaj që është bërë me mund të përbashkët me të gjithë qytetarët, e ka sjell këtë pasojë. Në fillim të muajit maj, ose në fund të prillit, unë dhe disa zëra të tjera dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se variant i ri Delta, një variant i rrezikshëm në shpërndarje do të vie shumë shpejtë edhe në Ballkanin perëndimor dhe rajonin tonë”, ka thënë ai.
Tutje Zemaj ka deklaruar se shthurja e mekanizmave mbikëqyrës të gjendjes me pandeminë ka ndikuar në situatën e krijuar.
“Shthurja e mekanizmave mbikëqyrës e cila ka ndodh, e ka sjell në një gjendje të tillë. Kanë qenë mekanizmat mbikëqyrës, Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë, shtabet emergjente lokale, inspektorati qendror, inspektorati lokal, njerëz të angazhuar në pandemi”, ka shtuar ai.