Zemaj: Nga java e ardhshme masa të reja në gjithë vendin

Prishtinë | 18 Dhj 2020 | 15:14 | Nga Fitore Berisha

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar masa të reja në gjithë vendin nga java e ardhshme, raporton Ekonomia Online.

Zemaj në një konferencë për medie, tha gjatë kësaj jave ka pasur rënie të numrit më të infektuar, ku edhe ka ndryshuar rangimi i ri i komunave

“Masat aktuale do të mbesin në fuqi për komunat sipas zonave, por do të ketë masa të reja nga java e ardhshme për gjithë vendin”, tha Zemaj.

Ai ka bërë të ditur rangimin e ri të komunave, ku në zonën e kuqe nga 16 komuna sa kanë qenë, tani janë 11, në zonën e verdhë 11 komuna, zona e gjelbër 16 komuna.

Në zonën e kuqe janë: Prishtina, Zveçani, Zubin Potoku, Fushë Kosova, Obiliq, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Lipjani, Drenasi dhe Podujeva.

Në zonën e verdhë janë 11 komuna: Kamenica, Kllokoti, Gjakova, Vitia, Gjilani, Peja, Vushtrria, Ferizaj, Shtërpca, Istogu dhe Ranillugu.

Në zonën e gjelbër janë 16 komuna: Graçanica, Klina, Hani i Elezit, Shtimja, Suhareka, Rahoveci, Skenderaj, Parteshi, Prizreni, Malisheva, Deçani, Novobërda, Kaçaniku, Juniku, Dragashi dhe Mamusha.

Zemaj foli edhe  për sigurimin e vaksinës Covid-19, ku tha se janë të përkushtuar në këtë proces.

Ai, tha se për këtë janë formuar një komision dhe një grup punues.

“Ju sigurojmë që kemi marrë më kohë masa dhe jemi të përkushtuar ti kemi sa më parë këto vaksina. “Po bashkëpunojmë me mekanizmat e BE-së dhe shtetet e tjera të zhvilluara”, tha Zemaj.

Të ngjashme