Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se situata me pandeminë është nën kontrollë, raporton Ekonomia Online.
Ai në takimin me Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me Covid-19, ka thënë se sistemi shëndetësor i Kosovës mund të lavdërohet me statistikat që ka.
“Gjendja e pandemisë është nën kontroll dhe nuk ka alarm të kurrfarë natyre. Sistemi ynë shëndetësor mund të lavdërohet me statistikat që ka”, tha Zemaj.
“Deri me sot janë 66 mijë e 333 raste pozitive. 87. 6 për qind janë shëruar. 10 për qind janë raste aktive. 1572 vdekje prej 2.3 për qind. Kemi ulje simbolike të rasteve të dy javëve të fundit. Meshkujt 51 për qind të prekur krahasuar me femra 49 për qind, tha Zemaj.
Zemaj ka thënë se kategorizimi i komunave do të vazhdojë, ndërsa ka thënë se është humbur pak vëmendja në mbikëqyrjen e masave.
“Vazhdon klasifikimi i ndarjes së komunave në zona. Të vazhdojë punën policia e inspektorati sanitar. Duket se është humbur pak vëmendja në mbikëqyrjen e masave. Ka rënie edhe të bartjes së maskave. Angazhimi ynë është maksimal që të sigurojmë vaksinimin për 75 përqind të popullatës”.
Zv.drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Naser Krasniqi, tha se në fushatë zgjedhore s’janë respektuar masat anti-Covid, raporton EO.
“Kontrollet janë realizuar në tërë territorin e Kosovës, në hotileri, sheshe, shkolla. Gastronomia ka respektuar masat e mbylljes kurse ku nuk ka pasur ka shqiptuar masa”.
“Në fushata zgjedhore s’janë respektuar masat dhe kemi dhënë dënime por jo në numër të kënaqshëm pasi kemi pasur mungesë të inspektorëve” .
Faik Hoti, nga ministria e Shëndetësisë, tha se në fund të javës që shkoi MSh-ja ka miratuar planin për vaksinimin e popullatës.
“Është dizajnuar një fushatë e re e informimit anti-Covid. Fushat fillon emetimi gjatë kësaj jave më qëllim të edukimit të publikut”.
“Në fund të javës që shkoi MSh-ja ka miratuar planin për vaksinimin e popullatës. Presim që këto ditë ta ndajmë datën e vaksinimit”.