Zemaj thotë se LDK me Osmanin në listë do të ketë rreth 20 kandidatë nga ekipi i saj

Prishtinë | 06 Maj 2026 | 18:28 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka arritur një dakordim për bashkëpunim me ish-presidenten Vjosa Osmani në zgjedhjet e 7 qershorit.

Në TvDukagjini, Armend Zemaj ish-deputet i LDK-së, tha se bëhet fjalë për një bashkëpunim parimor dhe ideologjikisht të përafërt me partinë, ku secila palë do të ruajë subjektivitetin e vet, ndërsa garimi do të bëhet brenda listës dhe me logon e LDK-së.

“Ajo që është diskutuar dhe na është paraqitur nga kryetari është një bashkëpunim parimor dhe ideologjikisht i përafërt me LDK-në, duke ruajtur subjektivitetin e secilit në këtë garë zgjedhore brenda listës së LDK-së”, ka deklaruar Zemaj.

Për listat zgjedhore pritet të dorëzohen më 12 maj, ai ka theksuar se një pjesë e kandidatëve do të vijnë nga lista e Osmanit.

“Mund të jetë rreth 20 anëtarë të rinj nga ajo që propozon, besoj që do të jenë emra që i përshtaten edhe profilit të së djathtës”, u shpreh Zemaj.

Sa i përket reagimeve brenda partisë, ai theksoi se ka një pritje të përzier ndaj këtij bashkëpunimi.

Zemaj ka shtuar se përgjegjësia për krijimin e listës dhe partneritetet i takon kryetarit të LDK-së, ndërsa theksoi se qëllimi i përbashkët mbetet ndryshimi i qeverisjes aktuale.

Të ngjashme