Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, u shpreh se këto dy vjet do të donin t’i harronin, por është e pamundur për shkak të, siç tha, problemeve të shumta në shëndetësi, raporton Ekonomia Online.
Ish-ministri i Shëndetësisë, para Komisionit parlamentar për Shëndetësi, u shpreh se gjatë këtyre dy vjetëve evidente ka qenë mungesa e barnave e listës esenciale, lista e pritjes e ikja e profesionistëve shëndetësorë.
“Asnjë ligj bazik nuk ka ardhur për dy vjet dhe se jemi duke hyrë në muajin e tretë dhe nuk e dimë se si është gjendja. Nuk po kemi material të shqyrtojmë më dhe është e pafalshme që nëse kemi 30 muaj dhe nuk e kemi së paku një ligj dhe të ulemi të punojmë”, deklaroi Zemaj, teksa u interesua edhe të dijë se a po funksionin Komisioni ekzekutiv për shëndetësi dhe se a i janë bartur Vitisë kompetencat.
“Ju jeni larguar në pikun e pandemisë, ka ardhë një ministër tjetër që për një vit ka mbajtur atë pozitë, e më pastaj është larguar duke e lënë një letër të keqe duke thënë se qeveria Kurti ka lënë forma të korrupsionit. Detyra juaj në një institucion privat nuk ka lënë shije të mirë. Këto janë të meta të prodhuara gjatë kësaj kohe. E përmendet vërshimin, pse nuk ka dhënë dikush dorëheqje, sepse edhe më herët ka pasur vërshime por jo kështu”, tha Zemaj, teksa përmendi edhe rastin në Pejë e në Gjinekologji.
“Tentitiva për ta fshehur rastin e foshnjës në Pejë që askush nuk ka dhënë përgjigje dhe rasti i vrasjes së një nëne të pafajshme, askush nuk ka dhënë dorëheqje”, tha Zemaj.
Vitia u shpreh se me disa gjëra që theksoi Zemaj, pajtohet. Ndërsa, sa i takon krijimit të Komisionit Ekzekutiv për shëndetësi, ministri tha se kryeministri Kurti me këtë komision ka dashur të tregojë se shëndetësia është prioritet i kësaj qeverie.
Po ashtu ai u shpreh se janë duke punuar edhe për parandalimin e ikjes së mjekëve, dhe po ashtu edhe për parandalimin – me aq sa munden si ministri, të ngjarjeve tragjike.