Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka zhvilluar të mërkurën një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë, në trevjetorin e ardhjes në pushtet.
“Zemër ke dështu!”, shkruhej në një zemër të madhe që simbolizon 14 Shkurtin – Ditën e të Dashuruarve por edhe sloganin “Me zemër” të Vetëvendosjes.
Të rinjtë e LDK-së kanë shpërndarë fletushka në formë të zemrës për qytetarët, në të cilat shkruhej: “Me mirë me ty e fukara – tingëllon mirë vetëm në këngë”, “Me zemrën në darkë, për zemër jashtë vendit”, “Zemra të mban gjallë, por t’lëshon kur të vjen fatura”, “Zemrën plot, kuletën thatë”, duke ironizuar me disa nga dështimet kryesore të Qeverisë Kurti.
Kryetari i Forumit Rinor të LDK-së, Paris Guri, tha se aksioni i tyre ka për qëllim t’ia përkujtojë Qeverisë Kurti s po u përfundon mandati “me dështime në çdo fushë”.
Guri para mediave përmendi siç tha dështimet e shumta për këto vite qeverisjeje.
“Sot në Ditën e të Dashuruarve, jemi mbledhur këtu me një aksion simbolik për t’ia rikujtuar Qeverise se po u përfundon mandati me dështime në përmirësimin e jetës së qytetareve në Kosove në çdo fushë. Në vitin e saj të katërt, kjo Qeveri po vazhdon me dështime në arsim, në shëndetësi, në ekonomi, në marrëdhënie ndërkombëtare, në ngritjen e mirëqenies së qytetareve, në energji, dhe në secilën sferë tjetër. Të rinjtë e vendit tonë, ashtu si secili qytetarë i Kosovës, janë duke u përballur me një depresion kolektiv të shkaktuar nga popullistët të cilët kanë braktisur gjithçka, përfshirë edhe shtresën me vitale të shoqërisë sonë, rininë”.
“Problemet me të cilat ballafaqohemi sot, nga shtrenjtimi i produkteve bazike për jetesë dhe i energjisë elektrike, deri tek dështimet e njëpasnjëshme në arsim e shëndetësi që shpërfaqen me debaklin në testin PISA, me listat e gjata të pritjes në spitalet tona dhe me qytetarët që duhet të udhëtojnë për trajtim jashtë vendit, po e bëjnë jetën tonë këtu te papërballueshme”, deklaroi ai.