Disa infermiere në Japoni janë të indinjuara me kërkesën nga organizatorët e Lojërave Olimpike në Tokio që t’i kenë 500 infermiere në dispozicion për të ndihmuar gjatë garës. Infermieret thonë se janë në pikën e thyerjes duke u përballur me pandeminë e koronavirusit, raporton agjencia AP.
Zyrtarët e Lojërave Olimpike kanë thënë se do t’u duhen 10 mijë punonjës mjekësorë për të ndihmuar gjatë ngjarjes së madhe dhe kërkesa për më tepër infermiere ka ardhur në kohën kur Tokio e Osaka janë në gjendje emergjente pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.
“Përtej ndjenjës së zemërimit, unë u habita nga pandjeshmëria”, ka thënë Mikito Ikeda, një infermiere në Nagoya në qendër të Japonisë. “Kjo tregon se sa lehtësisht po merret jeta e njeriut”.
Kërkesa për më tepër infermiere është tipike e ndryshimeve të improvizuara që po ndodhin gati çdo ditë ndërsa organizatorët dhe Komiteti Ndërkombëtar Olimpik (IOC) po përpiqet të organizojë lojërat në mes të një pandemie.
Lojërat Olimpike do të hapen brenda vetëm tremuajve, duke përfshirë hyrjen në Japoni – ku kufijtë ndërkombëtarë janë mbyllur virtualisht për një vit – të 15 mijë sportistëve olimpikë e paralimpikë dhe mijëra zyrtarëve tjerë, gjyqtarë, sponsorë, media dhe transmetues.
Në një deklaratë të lëshuar nga Unionet e Punonjësve Mjekësorë të Japonisë, është thënë se përqëndrimi është pandemia e jo Lojërat Olimpike.
“Ne duhet definitivisht të ndalim propozimin për të dërguar si vullnetarë në Lojërat Olimpike ato infermiere, që kanë për detyrë të mbrojnë kuftën kundër pandemisë shumë serioze të koronavirusit. Jam ekstremisht i zemëruar nga insistimi për Lojërat Olimpike përkundër rrezikut për shëndetin e pacientëve, infermierëve dhe jetëve”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Unionit, Susumu Morita.
Një mesazh proteste që infermierët janë kundër organizimit të Lojërave Olimpike ka bërë bujë në rrjetet sociale.