Më 7 qershor të vitit të kaluar, Arbër Zeneli kishte pësuar lëndim të rëndë të gjurit në ndeshjen e Kosovës ndaj Malit të Zi në Podgoricë. Ai kishte pësuar lëndim të ligamenteve dhe kishte fazë të gjatë rikuperimi. U kthye vetëm më 29 shkurt të këtij viti. Në Monaco luajti gjashtë minuta në barazimin 1:1 të Reimsit, në kuadër të kampionatit francez.
Më pas në ndeshjen ndaj Brestit mbeti në stol dhe kur pritej që Zeneli të luante rregullisht dhe të jepte kontribut për skuadrën e tij, Reims, edicioni në Ligue 1 u pezullua. Për shkak të situatës së krijuar me COVID-19, kampionati francez, Ligue 1, më pas u anulua plotësisht. Kështu kthimi i plotë i Zenelit, lojtarit shumë të rëndësishëm të Kosovës, u shty.
Këtë verë ai pati fazë të suksesshme përgatitore. Shënoi nga një gol në ndeshjet me Troyes, Rouen, Le Havre, kurse dy gola i shënoi ndaj Mariborit.
Të dielën, Zeneli pati një fillim të ri, prapë në Monaco. Reimsi luajti 2:2 me Monacon në kuadër të xhiros së parë të edicionit të ri. Zeneli u aktivizua në minutën e 60-të në vend të El Bilal Toure. Pesë minuta më herët në lojë hyri edhe Valon Berisha, që debutoi te Stade Reims. Berisha u transferua te Reimsi francez nga Lazio. Ai në fakt ishte i huazuar te Fortuna Duesseldorf në pjesën e dytë të kampionatit të kaluar.
Barazimi me Monacon është vlerësuar rezultat i pranueshëm. Për Zenelin, shpresohet që kthimi i dytë në Monaco të jetë më i suksesshëm se i pari.
“Zeneli nuk ishte i lumtur për ndërprerje të kampionatit. Ai ishte kthyer nga mungesa e gjatë dhe shpresonte për më shumë ndeshje”, ka thënë trajneri i Reimsit, David Guion.
“Ishte shumë vështirë për të. Ai ka dashur të kthehet dhe skuadrës i është dashur Zeneli. Kisha planifikuar që gradualisht ta ktheja në skuadër. Por, më pas erdhi ndërprerja që komplikoi gjërat”.
Zeneli ende nuk është i gatshëm për të përballur intensitetin e lartë për 90 minuta. Për këtë, trajneri e ka aktivizuar vetëm në pjesën e dytë të dielën. Zeneli në fakt vlerësohet lojtar shumë i rëndësishëm për Reimsin, njëjtë si për Kosovën.
“Ai është në gjendje që për një pjesë të mirë të lojës ose për tërë lojën të kontribuojë me kualitetin që ka. Shpresoj që gradualisht do të kthehet në nivelin më të mirë dhe do të shfaqë gjithë potencialin që ka. Unë dua të jem i durueshëm me të. Nuk kam dashur që ta djeg atë. Ai ka luajtur më së shumti gjatë përgatitjeve. Kemi lejuar këtë për t’ia mundësuar që të gjejë balancën tekniko-taktike. Në disa aspekte ai ka ende shumë punë për të bërë”, ka shtuar Guion.
Ai ka treguar se Zeneli ka ruajtur ndjenjën e mirë para portës.
Trajneri Guion pret bashkëpunim shumë të mirë të Zenelit me Berishën.
“Ata flasin gjuhë të njëjtë, njohin njëri-tjetrin për kohë të gjatë dhe luajnë së bashku te Kosova. Besoj që kjo lidhje do të funksionojë edhe në skuadrën tonë”.