Zeqiri jep detaje për gjendjen e zyrtarëve policorë të tërhequr nga veriu

Prishtinë | 21 Dhj 2022 | 16:09 | Nga Ekonomia Online

Nëntë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët të martën në mbrëmje janë transportuar nga Jarinje, ku qëndruan për 11 ditë janë mirë më shëndet dhe nuk kanë pranuar tretman mjekësor.

Në mesin e tyre gjashtë kanë qenë burra dhe tri gra.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se policët kanë pasur sëmundje kronike, ndërsa policët janë larguar për shkak se kanë fëmijë të vegjël, por nuk kanë pasur probleme shëndetësore.

“Nuk është e vërtet që janë helmuar apo janë sëmurë atje, arsyeja e vetme ka qenë kjo. Janë mirë më shëndet dhe nuk kanë marrë trajtim në QKUK sepse nuk ka pasur nevojë”, ka thënë ai.

Zeqiri ka thënë se pjesëtarët e PK-së që kanë mbetur në Jarinjë dhe Leposaviq, po qëndrojnë me moral dhe vullnet të lartë.

Por, pavarësisht kësaj ai ka thënë se kanë bërë kërkesë nga KFOR-i që të bëhet ndërrimi i tyre dhe se janë duke pritur përgjigje.

Zeqiri ka shprehur shqetësimin se pse KFOR-i po heziton të asistoj në ndërrimin e tyre. Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka kapacitete për të bërë këtë zëvendësim, sikurse edhe për largimin e barrikadave.

“Shqetësimi jonë është se pse KFOR-i po heziton të asistoj në ndërrimin e tyre, ndërsa menagjmenti i policisë ka bërë planet e veta dhe jemi duke pritur një aprovim të një kërkese për ndërrimin e zyrtarëve policorë në këto dy lokacione. Kemi kapacitete logjistike dhe njerëzore qe ne ta bëjmë atë ndërrim, kemi kapacitete që edhe barrikadat ti largojmë por jemi duke pritur një vendim të Qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtar”, ka thënë.

Nëntë zyrtarëve policorë që  kanë qenë të bllokuar në pikat kufitare në Jarinje,  janë larguar mbrëmë.

Ata janë larguar nga KFOR-i.

Ndërsa, EULEX-i të martën ka dorëzuar furnizime thelbësore për policët e Kosovës në pikën e përbashkët të kalimit në Rudnicë.

Të ngjashme