Ish i burgosuri politik Sadik Zeqiri ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë ka qenë i motivuar politikisht dhe ka shprehur bindjen se ata do të shpallen të pafajshëm.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka pretenduar se aktakuza është mbështetur në dokumente të fabrikuara nga Serbia, ka kritikuar mungesën e mbështetjes institucionale nga udhëheqësit e Kosovës dhe ka vlerësuar se një vendim dënues do të kishte pasoja jo vetëm për të akuzuarit, por edhe për vetë Kosovën.
Ai, ka thënë se beson fuqishëm te drejtësia, duke shtuar se më 16 shtator kur edhe do të shpallet verdikti final për ta, të njëjtit do të nisen për në Kosovë.
“Shiko, James Rubin, para një kohe të gjatë në një intervistë në një prej mediave të Kosovës, pati thënë që është mirë që krerët e UÇK-së të largohen nga politika së paku për 5 vite. Dhe krerët e UÇK-së nuk e kanë bërë. Nuk e kanë dëgjuar zërin e zëvendësit të zonjës Albright. Prandaj ka ardhur te ky vendim. Të gjithë pyesin pse është votuar Gjykata Speciale nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Unë mendoj që kanë bërë mirë, ani pse është e keqe. Kanë bërë mirë sepse duhet që njëherë e përgjithmonë barra mbi kokë t’u hiqet atyre që kanë bërë luftën dhe të mos akuzohen për krime që gjoja i kanë bërë. Në fakt, ata nuk kanë bërë krime. Dhe me vendimin e 16 shtatorit, duke pasur parasysh qëndrimin e tyre rreth 6-vjeçar në burg, i bie që ata e kanë kryer burgun. Dhe është me rëndësi që ata të mos dënohen. Unë besoj fuqishëm që drejtësia, nëse nuk do të ketë ndikime politike dhe nëse vendoset me fakte dhe mbi fakte, ata gjyqtarë, në krye me zotin Smith, amerikanin do të marrin një vendim lirues. Të katër të akuzuarit, drejtuesit e UÇK-së, të shpallen të pafajshëm, dhe më datën 16 shtator, duke i respektuar procedurat e lirimit, ata do të nisen për në Kosovë”, ka deklaruar Zeqiri.
Ai ka thënë se i gjithë procesi gjyqësor ka qenë politik dhe se, sipas tij, Prokuroria është bazuar në dokumente të fabrikuara nga Serbia.
“Ka qenë i gjithi politik. Asgjë s’ka pasur të vërtetë. Gjykata dhe prokurorët janë bazuar në dokumente të fabrikuara në Serbi. Ka pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm të Prokurorisë së Gjykatës Speciale me Prokurorinë e Serbisë. Ne e dimë që Serbia, në akuzat e ngritura ndaj krerëve dhe ushtarëve të UÇK-së, si dhe ndaj njerëzve që janë marrë me politikë në Kosovë, i ka bërë ashtu siç ka dashur vetë, me qëllimin që ato akuza të vlerësohen si dënuese nga Gjykata. Prandaj, gjykata komplet është bazuar në dokumentacion të Serbisë. Gjykata komplet është bazuar në “shqiptar të ndershëm”e them në thonjëza—sepse ata kanë shpifur kundër krerëve të UÇK-së duke i akuzuar për krime të ndryshme në Kosovë. Shqiptarët nuk kanë bërë krime në Kosovë. Luftë më të pastër se lufta e Ushtrisë Çlirimtare nuk ka në botë. Edhe me dashtë me bërë krime, s’ke mundur, sepse s’ke pasur mundësi t’i bësh. Ata njerëz që janë sot në Hagë janë akuzuar për Shtëpinë e Verdhë. Ne sot e kemi QKUK-në, ku për të bërë një transplant veshke duhet një kohë e madhe, përgatitje e madhe, dhe prapë s’ka ekspertë të duhur për t’i bërë ato veprime mjekësore. Ndërsa ata akuzohen që kanë bërë transplante veshkash e të tjera. Unë mendoj që çdo gjë ka qenë e ndërtuar mbi fakte të pabaza të Serbisë, dhe ka qenë një goditje për UÇK-në”, është shprehur ai, për Ekonomia Online.
Zeqiri ka thënë se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së do të kishte pasoja edhe për vetë Kosovën, duke përmendur rolin e ish-presidentit Hashim Thaçi në proceset kryesore politike të vendit.
“Në qoftë se dënohen ish-krerët e UÇK-së në Hagë, ne themi që “ata janë individë”, por në fakt nuk janë. Ata janë vetë Kosova. Hashim Thaçi është nënshkruesi i Rambujesë. Hashim Thaçi është nënshkruesi i demilitarizimit të UÇK-së dhe i raporteve me NATO-n. Hashim Thaçi është nënshkruesi i Pavarësisë së Kosovës, e ka shpallur Pavarësinë. Asnjë vend në botë nuk e dërgon para gjykatës një njeri që i bën këto veprime. Sepse bashkësia ndërkombëtare nuk komunikon me kriminelë. NATO-ja nuk komunikon me kriminelë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ëesley Clark, James Rubin dhe të tjerët nuk kanë komunikuar, as nuk vazhdojnë të komunikojnë me kriminelë. Deri në arrestimin e zotit Thaçi, ka pasur takime edhe në Amerikë edhe në Kosovë. Po ashtu, ata kanë dalë dëshmitarë në Hagë. Amerikani, njëherë bëhet gjeneral dhe vdes gjeneral dhe aty ka dëshmuar Ëesley Clark, gjenerali i NATO-s dhe i ushtrisë më të madhe në botë. Ai ka dhënë dëshmi për luftën e pastër të UÇK-së, për Hashim Thaçin dhe bashkëluftëtarët e tij”, ka deklaruar ai.
Duke folur për procesin në Hagë, Zeqiri ka përsëritur se, sipas tij, ai ka qenë tërësisht politik.
“Ajo ka qenë komplet politike, tash kam dëgjuar që edhe prokurorët edhe gjyqtarët janë duke i dhënë raport shteteve që i financojnë gjykatën dhe kjo i bie që çdo gjë është politike aty. Aty më së paku ka drejtësi, prandaj këtu e kam frikën që këta gjyqtarët mund ta arsyetojnë veten për shkak neglizhencës së tyre dhe mbajtjes për gjashtë vjet njerëzit pa i dënu, as në Serbi nuk ka ndodhë kështu, edhe Serbia i ka dënuar, pas gjashtë muajve ke dalë me aktakuzë të ngritur dhe je dënu, atje gjashtë vjet ka vazhdu gjykimi dhe është shtyrë qysh është shtyer, prandaj çdo gjë ka qenë politike, unë kam përcjellë vet disa seanca atje në Hagë, i kam parë vet se si po shkon zhvillimet, çdo gjë është politike”, ka thënë ai.
Ai ka kritikuar edhe udhëheqësit aktualë të institucioneve të Kosovës, duke thënë se është dashur t’i mbështesnin publikisht krerët e UÇK-së gjatë procesit gjyqësor.
“Kryeministri dhe presidentja, për mendimin tim, e kanë pasur kundërshtar politik Hashim Thaçin, por kjo nuk është dashur të ndodhë. Hashim Thaçi s’ka shkuar atje se ka vjedhur lopë, ka shkuar atje sepse i ka prirë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa të dhe pa ushtarët e tjerë të UÇK-së, ne sot këtu ose do të kishim folur serbisht para televizionit tënd, ose nuk do të kishim ekzistuar fare. Prandaj, mendoj që kanë gabuar shumë. Është dashur të shkohet! Ndonëse nuk e njohin atë gjykatë, është dashur që kryeministri i vendit të shkojë te dyert e Gjykatës, t’i marrë mediat e Kosovës, të bëjë njoftim për mediat ndërkombëtare dhe, para dyerve të Gjykatës Speciale, t’i thotë botës: “Unë jam kryeministër i vendit. Unë jam në mbështetje të krerëve të UÇK-së. Nuk e njoh këtë gjykatë dhe nuk hyj brenda saj. Ama, nga kjo derë po ju bëj thirrje: Bëni gjykim të drejtë dhe të paanshëm, jo gjykim politik!”
“Kjo është dashur të bëhet, ishte më e pakta që mund të bënte kryeministri i vendit. Vetë ai ka qenë në burg dhe e di çfarë domethënë burgu. Burgu nuk është hotel. Në orën 9 të mbrëmjes të mbyllet dera dhe mbetesh i vetëm në dhomë, pa familje, pa asgjë. Unë mendoj që politika kosovare ka gabuar rëndë që nuk ka qenë në mbështetje të tyre. Nuk ka dhënë para për të lobuar. Meqë gjykata është politike, është dashur të lobohet. Të ndahej një fond, buxhet, të gjendeshin njerëz të caktuar që të lobonin e të ndikonin në shtetet që nuk e duan Kosovën, sepse ajo gjykatë u krijua nga urdhrat e Rusisë dhe Serbisë. Dhe është dashur që kryeministri të jetë në Hagë, është dashur që presidentja të jetë në Hagë. Në rregull, e ke kundërshtar Hashim Thaçin, atëherë takoje Jakup Krasniqin! Një njeri që ka qenë mbi 10 vjet në burg, nga ’81-shi deri në vitet ’90. Kështu që, për mua është një gabim që nuk ua fal kurrë as Kosova, as unë, as kryeministrit, as presidentes”, ka deklaruar Zeqiri.
