Pas ankesave të drejtuesve të disa komunave të Kosovës të prekura me Coronavirus, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Haki Abazi ka thënë se po bëjnë përpjekje maksimale që të koordinohen veprimet për parandalimin e kësaj pandemie dhe ka kërkuar edhe mirëkuptimin e tyre.
Në një intervistë për Ekonomia Online, zëvendëskryeministri Abazi ka treguar gatishmërinë e nivelit qendrorë për tu dalë në ndihmë komunave që janë të prekura me Coronavirus.
Ai është shprehur se komunikimi në mes të nivelit qendror, ndërmjet Komisionit të Posaçëm të qeverisë i formuar për parandalimin e coronavirusit dhe kryetarëve të komunave do ta zvogëlojë brengosën dhe shqetësimin e qytetarëve të këtyre komunave.
“Besoj që komunikimi ndërmjet kryetarëve të komunave dhe komisionit të posaçëm të qeverisë dhe Ministria e Shëndetësisë do ta zvogëlojë brengosjen dhe shqetësimin. Sigurisht që brenda kësaj kohe edhe ne jemi duke u adaptuar sepse është hera e parë që po ballafaqohemi me një fenomen të tillë” ka thënë Abazi.
Abazi ka theksuar se bashkërisht do të mundohen të identifikojnë të gjithë të infektuarit me Coronavirus dhe personat të cilët ata kanë pasur kontakt, në mënyrë që masat e marra nga qeveria të jenë sa më efikase në parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19.
“Në situata të tilla duhet të merren edhe vendime të vështira dhe ne tentojmë të identifikojmë një burim ata që janë të infektuar dhe sigurisht që do të bëjmë më të mirën e mundshme që kjo të mbulohet ashtu siç është e mundur”, tha ai për Ekonomia Online.
Abazi ka treguar se është bërë mobilizimi i të gjithë personelit mjekësor.
“Nuk do të thotë që do të kemi situatë ideale, sepse, e dini në çfarë gjendje të mjerueshme e kemi gjetur sistemin e shëndetësisë dhe sektorët tjerë. Unë mendoj që ministri Vitia bashkë me ekpini e tij dhe me mirëkuptimin e personelit mjekësor ka bërë punë të jashtëzakonshme që të përballemi me masat me prioritet për të eliminuar në burim përhapjen e Coronavirusit”, theksoi Abazi.
Ai ka folur edhe për shqetësimin që e ka shprehur kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma i cili ka thënë se kjo komunë është e detyruar të menaxhojë e vetme pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut, për sa i përket kontrolleve të mjekëve. Suma është ankuar se QKMF-ja po u mbetet pa staf mjekësorë të mjaftueshëm.
Abazi ka kërkuar mirëkuptim nga kryetarët e komunave të prekura, pasi sipas tij, gjendja me të cilën po përballemi ka kapluar gjithë botën, edhe vendet më të zhvilluara.
“Sigurisht që e mirëkuptojë kryetarin e komunës së Hanit të Elezit ashtu siç i mirëkuptoj secilin kryetar komune, sepse, ata janë në vijën e parë të ankesave dhe kërkesave të qytetarëve. Unë mendoj që në të gjithë së bashku mund ta bëjmë më të mirën. me ato që kemi dhe maksimumin e obligimeve të arrijmë që jo në mënyrë perfekt. Sepse e shihni Italia është anëtare e BE-së dhe shikoni me çfarë po ballafaqohet, pikërisht ndoshta që nuk kanë reaguar në momentin e duhur. Ne kemi reaguar në kohën e duhur dhe kemi arritur, në një situatë që ndoshta është shumë më e volitshme se të tjerat”, është shprehur Abazi për Ekonomia Online.
Deri më tani numri i të prekurve në Kosovë me Coronavirus është 24 dhe komunat që kanë të infektuar janë, Vitia, Klina, Malisheva, Podujeva, Gjakova dhe Lipjani.