Në një ceremoni të organizuar gjatë seancës plenare të Parlamentit Provincial të Ontarios, kryetari i këtij parlamenti, Dave Levac, ka ftuar si mysafirë zëvendëskryeministrin e Kosovës, njëherësh ministrin e Diasporës dhe të Investimeve Strategjike, Dardan Gashi dhe delegacionin e kryesuar nga ai, transmeton Ekonomia Online.
Ceremonia e pritjes solemne u organizua me rastin e vizitës së ministrit Gashi në Toronto të Kanadasë.
Po ashtu, në njërën nga sallat e Parlamentit, ministri Gashi, i shoqëruar nga ministri Majko, ka qenë prezent në ekspozitën e organizuar nga komuniteti shqiptar në diasporë “Gratë shqiptare ndër dekada”, në të cilën, ndër të tjerë, kanë qenë të pranishëm edhe kryetari i Parlamentit, Levac; ministrja për Shtetësi dhe Migracion, Laura Albanese; ministri i Inovacionit, Hulumtimit dhe Shkencës, Reza Moridi, dhe deputeti i Parlamentit provincial, Shafiq Qaadri.
Sipas një komunikate nga ministria e Diasporës, në fjalimin e tij para të pranishmëve, zëvendëskryeministri Gashi tha se këtë vit është shënuar 10-vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe, njëherësh, 10-vjetori i themelimit të marrëdhënieve diplomatike me shtetin mik të Kanadasë.
“Për komunitetin shqiptar në Kanada, këto ditë, kemi shënuar shumë suksese të tyre në fushën e biznesit, jetën akademike dhe në atë profesionale. Dhe kjo është inkurajuese për ne që si dy qeveri ta thellojmë bashkëpunimin në të mirë të të dyja vendeve”, theksoi më tej ministri Gashi, duke përmendur edhe njëherë ndërtimin e “Shtëpisë së Shqiptarit” në Toronto, një projekt afatgjatë, të cilën komuniteti shqiptar do të kishte si adresë.
Gjatë kësaj vizite, Gashi, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Diasporë i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka pasur një bashkëbisedim me kryetarin dhe me anëtarët e kryesisë së Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze, me të cilët në detaje ka diskutuar për çështjen e “Shtëpisë së Shqiptarit” dhe për projektet në vazhdimësi.
Delegacioni i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, po ashtu, kanë pasur një takim me Shoqatën e Profesionistëve Shqiptaro-Kanadezë, me të cilët kanë diskutuar për modalitetet e mundshme të bashkëpunimit në të ardhmen, në formën e konsulencave.