Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Emilija Redžepi, mori në pjesë Samitin e Ballkanit Perëndimor 2021, i cili u mbajt në Sofje, organizuar nga New Direction Foundation, në bashkëpunim me Institutin Hungarez për Politikë të Jashtme dhe Tregti dhe Warsaw Institute.
Samiti, i cili po mbahet për herë të katërt me radhë në Sofje, mblodhi politikanë, grupe të shoqërisë civile dhe anëtarë të instituteve të ndryshme, në të cilin u diskutuan tema me rëndësi për Evropë, në veçanti për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e vet hyrëse, Zëvendëskryeministrja Redžepi fillimisht dha një pasqyrë të angazhimit të qeverisë së Republikës së Kosovës në ballafaqim me pandeminë, si dhe masat e ndërmarra drejt rimëkëmbjes ekonomike të vendit, përmes Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në drejtim të tejkalimit të sfidave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia. Tutje, ajo nënvizoi se Republika e Kosovës ka një qeveri demokratike dhe stabilitet institucional, si dhe janë intensifikuar përpjekjet në forcimin e rendit dhe ligjit në vend. Po ashtu, ajo nënvizoi se në Republikën e Kosovës të gjitha komunitetet pa përjashtim gëzojnë liri të plotë të veprimit, të drejta, perspektivë e shanse të barabarta.
Në adresimin e vet, Zëvendëskryeministrja Redžepi kërkoi nga institucionet e BE-së, Parlamenti Evropian, Këshilli Evropian dhe qeveritë e vendeve anëtare, që çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës të trajtohet me urgjencë meqë kosovarët janë qytetarët e vetëm në Evropë, të cilët kanë nevojë për viza për udhëtim në Zonën Shengen dhe sipas saj, kjo padrejtësi ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës duhet të përfundojë sa më parë. Ajo shtoi se kanë kaluar tri vite, që nga rekomandimi i fundit i Komisionit Evropian në favor të liberalizimit të vizave dhe se Republika e Kosovës ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara, si dhe ka shënuar progres evident në fushën e sundimit të ligjit.
Në forumet kryesore të samitit, Zëvendëskryeministrja Redžepi u shoqërua nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Sofje, Ambasadori Delfin Pllana.