Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, njëherazi Koordinator Nacional për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, Yildiray Bayram, vizitoi pikën e kalimit kufitar në Han e Elezit. Atje u takua me delegacionin maqedon, i cili kryesohej nga Koordinatori Nacional për Menaxhimin të Kufijve, të Maqedonisë së Veriut, Vladimir Pivovarov.
Gjatë këtij takimi palët u njoftuan nga afër me funksionimin e qarkullimit ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë Veriore. Me këtë rast, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe u dakorduan për të koordinuar veprimet sa i përket menaxhimit të integruar të kufirit, për të këmbyer praktikat e mira të dy vendeve në luftimin e krimit.
Palët vlerësuan edhe zbatimin e memorandumit të bashkëpunimit, në mes të dy qendrave kombëtare për Menaxhim të Integruar të Kufirit të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë Veriore, i cili është nënshkruar në vitin 2018. Të pranishmit në këtë takim, u pajtuan që të shtohet bashkëpunimi në mes të dy qendrave, në mënyrë që të rritet efikasiteti i kontrollit kufitar në të dy vendet.