Në kuadër të vizitës zyrtare në Kanada, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, me ftesë të Asociacionit të NATO-s në Kanada, mori pjesë në një bashkëbisedim me Presidentin e Asociacionit të NATO-s z. Robert Baines, për të diskutuar mbi temën “Kosova dhe NATO”.
Para të pranishmëve, Gashi ka prezantuar aspiratat e Kosovës për të qenë anëtare e NATO-s.
Ajo ka theksuar se Republika e Kosovës ndan me të gjitha shtetet demokratike vlerat e përbashkëta transatlantike dhe se integrimi i Kosovës në NATO është një hap kyç drejt sigurisë dhe stabilitetit në rajon, nxitjes së bashkëpunimit dhe ruajtjes së paqes së qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.
Zëvendësministrja theksoi përkushtimin e Kosovës për të marrë pjesë në të gjitha iniciativat dhe mekanizmat rajonalë të sigurisë, me fokus tek zgjerimi i rrjetit të aleatëve për ofrimin e paqes, mbrojtjen dhe sigurinë, me synimin për të krijuar një mjedis më të sigurtë për qytetarët e Kosovës dhe rajonin.