Zgjedhjet e 12 tetorit në Kosovë cilësohen si betejë gjeopolitike dhe çështje sigurie kombëtare

Prishtinë | 30 Sht 2025 | 10:36 | Nga Gzim Mujaj

Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” ka mbajtur forumin me temën “Demokracia nën kërcënim: Zgjedhjet si një fushëbetejë gjeopolitike”, ku përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë theksuan rëndësinë e integritetit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, duke paralajmëruar për ndikime të jashtme dhe të brendshme që mund të cenojnë procesin demokratik, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, tha se Kosova gjendet në shënjestër të operacioneve kërcënuese.

“Në fushatën për zgjedhjet e 12 tetorit, Kosova vazhdon të jetë një terren i operacioneve kërcënuese, jo vetëm me propagandë dhe narrativa nxitëse, por edhe me ndërhyrje politike e financiare. Rasti i Moldavisë, sidomos shembujt e tjerë si Rumania dhe Gjeorgjia, na tregojnë se zgjedhjet sot janë arenë e përplasjeve gjeopolitike, beteja të heshtura ndërmjet demokracisë dhe hegjemonisë, të së vërtetës dhe propagandës. Në këtë betejë është edhe Kosova, për shkak të Serbisë militariste që vepron për rrënimin dhe destabilizimin e saj. Si qendër rajonale e ndikimit rus, ajo përdor instrumente të njëjta si dezinformimin, rrjetin fetar, manipulimin kibernetik dhe ndërhyrjet politike e financiare për të rritur polarizimin, përçarjen dhe mosbesimin e qytetarëve serbë në procesin zgjedhor. Në këtë kontekst, sot Kosova përballet me sfidën e qëndrueshmërisë demokratike dhe integritetit të zgjedhjeve si çështje të sigurisë kombëtare. 12 tetori nuk është vetëm ditë votimi, por betejë për rendin dhe vlerat euroatlantike, për sigurinë dhe sovranitetin politik”, tha Fetoshi.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, theksoi se Kosova ka dëshmuar maturi zgjedhore ndër vite, por shtoi se situata mbetet e brishtë dhe duhet të mbrohet.

“Kosova në historinë e saj ka ditur të shprehë fjalën e saj sa i përket zgjedhjeve. Zgjedhjet kanë treguar maturi, qoftë nga qeveritë e ndryshme që e kanë drejtuar, qoftë nga partitë politike. Jemi të vetëdijshëm dhe jetojmë në Kosovë, ku shohim me sytë tanë dhe dëgjojmë me veshët tanë se kemi një fushatë qytetare, e cila në fund nga ana e partive shqiptare nuk ka agresivitet dhe nuk përmban elemente që do të acaronin situatën, gjë që është për t’u përgëzuar. Megjithatë, po kalojmë një moment që nuk do ta dëshironim: mungesën e institucioneve të reja, të cilat shpresojmë të krijohen sa më shpejt. Të gjithë jemi dakord se kemi një demokraci të brishtë dhe duhet ta mbrojmë. Zgjedhjet përcaktojnë drejtimin dhe garantojnë të ardhmen demokratike të Kosovës. Rasti i Moldavisë tregon për një kahje pozitive dhe për një moment të mirë për Evropën, ku pati një mbështetje të fuqishme pavarësisht sulmeve të mëdha nga Rusia, dhe ku fitorja e presidentes kontribuoi për orientimin evropian të Moldavisë dhe të vendeve që aspirojnë Bashkimin Evropian”, tha Malaj.

Ai bëri thirrje edhe për kujdes ndaj sulmeve hibride, duke shtuar se rajoni ka nevojë për stabilitet. “Ajo që e mundon Kosovën është sfida në veriun e saj dhe tregon se demokracia është nën kërcënim. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë ato që përcaktojnë rrugën. Kemi parë e kemi dëgjuar momente që mund të sjellin situata që askush nuk do t’i dëshironte, por Kosova është në një proces që kërkon mbrojtje dhe përkushtim për gjithçka që ka arritur. Rajoni ka nevojë për stabilitet, i cili vjen nga zgjedhjet e lira e të ndershme. Nuk duhet të biem pre e sulmeve kibernetike të mbështetura nga kushdo. Kosova do të dijë t’i bëjë ballë”, u shpreh ai.

Nga Ambasada e Gjermanisë, Payam Ghalehdar tha se zgjedhjet lokale të 12 tetorit nuk janë thjesht zgjedhje vendore, por një ngjarje me rëndësi të madhe ndërkombëtare.

“Dua të theksoj disa pika. Së pari, ndaj vlerësimin se zgjedhjet, madje edhe në vende të ashtuquajtura të vogla si Kosova, sot janë një fushëbetejë gjeopolitike. Pra, Kosova është në një situatë delikate. Zgjedhjet e 12 tetorit nuk mund të quhen thjesht lokale, sepse ato janë të rëndësishme jo vetëm në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të aktorëve të tjerë. Prandaj është shumë e rëndësishme të ruhet dhe të mbahet integriteti i zgjedhjeve, të sigurohet që të jenë të lira dhe të ndershme. E pamë këtë në shkurt, në nivel kombëtar, dhe është e rëndësishme që kjo të vazhdojë edhe tani”, tha ai.

Ai shtoi se kërcënimet ndaj procesit zgjedhor mund të vijnë edhe nga brenda vendit.

“Gjithashtu, duhet të theksohet se kur flasim për zgjedhje, demokraci dhe sundim të ligjit, është po aq e rëndësishme të kushtohet vëmendje asaj që ndodh brenda vendit. Pra, kërcënimet ndaj integritetit të zgjedhjeve nuk vijnë vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda. Kemi vërejtur përpjekje për të përjashtuar disa parti nga zgjedhjet e ardhshme, gjë që sipas mendimit tonë është për të ardhur keq. Është e rëndësishme që të gjithë aktorët të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë të votojnë për kë do të duan”, tha Ghalehdar.

Të ngjashme