Zgjedhjet lokale: Këta janë kandidatët e mundshëm që pritet t’i hyjnë garës për kryetar të Prizrenit

Prishtinë | 21 Pri 2021 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Kur kanë mbetur edhe disa muaj për përfundimin e mandatit aktual të kryetarëve të komunave, partitë politike kanë filluar lëvizjet për të identifikuar kandidatët me të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale.


Partitë politike kanë bërë të ditur edhe emrat e disa kandidatëve të tyre që pritet të garojnë për kryetar në disa komuna. Përveç kryeqytetit, garë interesante pritet të zhvillohet edhe në komunën e Prizrenit e cila aktualisht udhëhiqet nga Mytaher Haskuka i LVV-së.

Në media janë përfolur disa kandidatë të mundshëm për kryetar të Prizrenit. Mytaher Haskuka është thënë që do t’i hyjë garës për të marrë edhe një mandat, po ashtu edhe Drita Millaku nga LVV-ja ka vetëshpallur kandidaturën e saj për kryetare të Prizrenit. Këtë ajo e bëri të ditur pak javë më parë përmes një postimi në Facebook.

“Në prag të zgjedhjeve lokale të vjeshtës para organeve të Lëvizjes dhe para aktivistëve dua të paraqes kandidaturën time për kryetare të komunës së Prizrenit. E dua Prizrenin, çdo rrugicë, çdo lagje, çdo fshat e çdo skaj të tij. Jetoj çdo ditë pranë historisë, harmonisë, kulturës e traditës së këtij qyteti historik”, kishte shkruar Millaku.

Në garë për kryetar të Prizrenit, do të jetë edhe Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës. Javë më parë Totaj tha se pritet të bëhet edhe zyrtarizmi i kandidaturës së tij për të parin e Prizrenit, shkruan telegrafi.

“Pritet zyrtarizmi i kandidaturës, pasi të bëhet zyrtarizmi mandej e konfirmojmë. Pritet brenda prillit që të fillohet të konfirmohen disa kandidatë”, ishte shprehur Totaj.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si kandidatë të mundshëm për kryetar të Prizrenit janë përfolur Driton Selmanaj dhe Anton Quni, ndonëse ende nuk ka asgjë zyrtare.

Quni i pyetur nga Telegrafi se a do të jetë kandidatë për kryetar të Prizrenit, ka thënë se kjo çështje do të diskutohet në të ardhmen. “Është temë e cila do të hapet në të ardhmen”, ka thënë shkurt Quni. Telegrafi ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.

Të ngjashme