Demokracia serbe në konferencën e sotme për media prezantoi programin e saj për Mitrovicën Veriore të quajtur “Qyteti ynë për ne”, i cili përfshin një plan katërvjeçar për mandat të plotë.
Kjo lëvizje e tyre duket se erdhi pas një deklarate të fundit të kryeministrit Albin Kurti, i cili e bëri me dije se tashmë për serbët në veri të Kosovës nuk do të ketë mundësi tjera përveçse të presin zgjedhjet e rregullta pas refuzimit për të marrë pjesë në një referendum për t’ua ndërprerë mandatin kryetarëve aktualë.
“Duhet t’i presin zgjedhjet vitin e ardhshëm”, tha Kurti në një intervistë për A2CNN.
Sipas përfaqësuesve të Demokracisë Serbe, vetëqeverisja lokale e udhëhequr nga kjo parti do të kërkojë mbështetje financiare dhe ekspertizë nga Serbia, duke përdorur mekanizmat mbrojtës siç është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, të cilin presin ta formojnë “sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Demokracia Serbe” doli me propozime për zgjidhje në nëntë fusha në nivel lokal.
Sipas përfaqësuesve të kësaj partie, 30 ekspertë vendas nga fusha të ndryshme morën pjesë në krijimin e programit, duke përfshirë ekonominë, politikën sociale, planifikimin urban, infrastrukturën, ekologjinë, kulturën dhe sportin. Problemet e adresuara nga programi, kjo parti tha se u evidentuan nëpërmjet një ankete të plotësuar nga 400 qytetarë.
“Kur të gjithë mendojnë se gjithçka po rrënohet, ne duam të fusim shpresën tek njerëzit se ia vlen të jetosh këtu. Kur ata mendojnë se duhet të ikin nga këtu, ne duam të dërgojmë një mesazh të fortë se ne po qëndrojmë me familjet tona dhe prandaj shikojmë nga e ardhmja”, tha lideri i Demokracisë Serbe, Aleksandar Arsenijeviq.
Ai shtoi se hulumtimi ka identifikuar pikat dhe problemet më të rëndësishme që mundojnë qytetarët dhe se programi është krijuar në bazë të këtyre gjetjeve.
Programi “Qyteti ynë për ne”, të cilin e prezantoi Sekretari i Përgjithshëm i Demokracisë Serbe, Stefan Veljkoviq, përfshin nëntë fusha.
“Ekonomia dhe punësimi janë në rrezik; siguria; zonat e gjelbra dhe ekologjia; infrastruktura dhe parkimi; sporti dhe shëndeti; kultura dhe gjuha; politika sociale; transporti dhe shërbimet lokale dhe transparenca”.
“Ne duam të krijojmë një bazë të re për zhvillimin e një jete të ndershme, dinjitoze dhe cilësore për të gjithë qytetarët”, tha Veljkoviq.
Siç njofton Demokracia Serbe, në muajin e ardhshëm pritet të përgatitet një program edhe për nëntë komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë, si dhe për zonat tjera serbe si Gorazhdeci dhe Osojani.
“Populli nuk duhet të humbasë shpresën dhe nuk duhet të ikë nga këtu. Gjithnjë e më shumë po dëgjohen zërat e qytetarëve tanë që thonë se këtu nuk ka perspektivë. Me këtë program, ne duam të tregojmë se perspektiva ekziston dhe kështu të inkurajojmë njerëzit të qëndrojnë këtu. Për këtë do të punojmë përmes programeve dhe ideve të tilla dhe këtu përfshihet edhe lufta që do ta intensifikojmë në ditët, muajt, e ndoshta edhe vitet e ardhshme”, ka përfunduar lideri i Demokracisë Serbe, Aleksandar Arsenijeviq.