Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) duket se ka siguruar vendin e parë në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore, ndërsa në Berlin partia e majtë Die Linke renditet forcë e parë politike, sipas projeksioneve të para pas mbylljes së kutive të votimit.
Në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore, AfD rezulton me 37% të votave, duke lënë pas me një diferencë të ngushtë Partinë Socialdemokrate (SPD), e cila merr 35.5%.
Ndërkohë, Unioni Kristian-Demokrat (CDU) i kancelarit Friedrich Merz shënon një rënie të ndjeshme, me vetëm 5.5%, pak mbi pragun prej 5% për hyrjen në parlamentin rajonal. Reuters e cilëson këtë si një nga rezultatet më të dobëta të CDU-së në zgjedhjet rajonale.
Rezultati i AfD-së në këtë land tregon forcimin e mbështetjes për partinë në disa prej landeve lindore të Gjermanisë, ku ajo ka rritur ndjeshëm ndikimin e saj politik vitet e fundit.
Surprizë në Berlin, Die Linke renditet e para
Në kryeqytetin gjerman, panorama është ndryshe. Sipas projeksioneve të para, Die Linke renditet forcë e parë me 24.5% të votave, duke shënuar një rritje prej 12.3 pikësh përqindjeje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
CDU renditet e dyta me 20%, duke pësuar një rënie prej 8.2 pikësh, ndërsa AfD vjen e treta me 16%, me një rritje prej 6.9 pikësh. Shifrat e para për Berlinin janë konfirmuar edhe nga Associated Press.
Rezultatet përfundimtare pritet të përcaktojnë balancat e reja politike në të dy landet. Megjithatë, projeksionet e para tregojnë ndryshime të dukshme në peizazhin politik gjerman, me rritjen e AfD-së në pjesë të lindjes së vendit dhe forcimin e Die Linke në Berlin.