Anëtari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komshiq, ka vlerësuar se zgjedhjet e fundit në Mal të Zi ku fitoi opozita e udhëhequr nga partia proserbe, SDP, kanë “zgjuar projektin madhor serb”.
Ky projekt, sipas tij, lidh Beogradin, Podgoricën dhe Banjallukën.
Pavarësisht kësaj, anëtari kroat i Presidencës së Bosnjës, shtoi se “Podgorica do të mbetët e Malit të Zi, kurse Banjalluka e Bosnjës.
“Fatkeqësisht, falë shumicës se re parlamentare, Beogradit dhe Kishës serbe, është zgjuar projekti madhor serb, i cili vazhdon të lidh Beogradin, Podgoricën dhe Banjallukën. Por mos të mashtrohen, ne nuk frikësohemi”, ka thënë Komshiq për Klix.ba.
Ndaj deklaratave të tij, ka reaguar anëtari tjetër i Presidencës së Bosnjës, Milorad Dodik, duke thënë se kjo që ka thënë Komshiq nuk është qëndrim zyrtar i Bosnjës.
Presidenca e Bosnjës përbehet nga tre anëtarë: një boshnjak, një kroat dhe një serb.
Komshiq ka folur edhe për liderin e platformës “E zeza mbi të bardhën”, shqiptarin nga Ulqini, Dritan Abazoviq. Kjo platformë fitoi katër mandate dhe do të jetë kyç në formimin e qeverisë së re.
Komshiq e ka quajtur Abazoviqin, “shpresë politike të kundërshtarit të Malit të Zi”. Sipas fjalëve të Komshiqit, vetëm Abazoviq mund të sjellë në pushtet partinë proserbe SDP.
SDP-ja në vazhdimësi ishte kundër pavarësisë së Malit të Zi, e më pas edhe kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi dhe anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Gjatë gjithë kohës ka premtuar se kur të vijë në pushtet do të shqyrtojë mundësinë “e ndryshimit të këtyre vendimeve”.
Por sot gjatë ditës, Abazoviq tha për mediat serbe se tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nuk do të jetë temë në qeverinë e re. Ai ka propozuar një qeveri ekspertësh.
Qëkur u shpallen rezultatet preliminare të dielën mbrëma, në Mal të Zi kanë ndodhur një varg incidentesh me baza fetare e nacionale. Janë sulmuar xhami të boshnjakëve, në qytetet shqiptare ka pasur provokime nga serbët, duke valuar flamurin e Serbisë, kurse në festën e fitores të hënën mbrëma, janë kënduar shumë këngë serbe për Kosovën.