U.d së presidentes, Vjosa Osmani, ka përgëzuar qytetarët dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Podujevë e Mitrovicë të Veriut.
Osmani tha se Kosova tregoi që është e aftë të organizojë zgjedhje të lira, fer e demokratike.
“Republika e Kosovës dëshmoi se është e aftë të organizojë zgjedhje të lira, fer e demokratike, nëpërmjet të cilave qytetarët duke votuar, treguan se e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur janë bazament i demokracisë dhe respektimit të lirive politike!”
“I uroj të gjithë qytetarët e Podujevës dhe ata të Mitrovicës së Veriut për maturinë e treguar gjatë tërë këtij procesi, përkundër faktit se u realizua në kohë pandemie”.
“Përgëzoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjithë të angazhuarit e tjerë për punën dhe angazhimin e madh me të cilin u arrit organizimi i zgjedhjeve sipas standardeve demokratike. Falënderoj poashtu përfaqësuesit e shoqërisë civile për angazhimin në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve si dhe mediat për raportimin nga këto dy komuna!”, ka thënë Osmani.