Në prag të zgjedhjeve të dyfishta të 14 majit në Turqi, kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetjen e tij për presidentin Rexhep Tajip Erdogan. Nëpërmjet një videomesazhi të publikuar në mediat turke, Rama veçon vizionin dhe punën e Erdogan për transformimin e vendit të tij.
“Fuqizimi shembullor i Turqisë dhe krijimi i një vetëdijeje të re, te forca e kombit dhe e shtetit turk, nuk sollën vetëm plot të mira për Turqinë e për popullin e saj, po krijuan edhe vështirësi të mëdha, kundërshti të forta, të cilat kulmuan me vënien deri në pikëpyetje të integritetit të institucioneve legjitime të Turqisë, madje edhe të vetë jetës së presidentit Erdogan”, tha Rama.
Rama e konsideroi Erdoganin si mik të ditëve të vështira, duke përmendur njohjen e pavarësisë së Kosovës, mbështetjen pas tërmetit të 2019-ës dhe pandeminë.
“Për mua personalisht presidenti Erdogan nuk është vetëm një mik i mirë në ditë të vështira, por edhe një lider politik shumë i veçantë, për faktin se thotë atë që bën dhe bën atë që thotë”, shtoi ai.
Për Ramën, roli i Erdogan ka qenë i rëndësishëm edhe në zgjidhjen e konflikteve rajonale.