Tash e sa dekada, prej kur kam kuptu se zgjedhjet presidenciale në SHBA janë të rëndësishme për të tasshmen e të ardhmen tonë, mbaj mend se na si popull jemi rreshtu pro njërit a tjetrit kandidat presidencial. Rrallëkush është rreshtu ideologjikisht a mbi ndonjë parim tjetër – jemi rreshtu mbi bazën e interesit. Kjo ka nisë me na u dukë normale. Do me thënë me u rreshtu kah ai që bën më shumë për ne.
Aq larg kemi shku sa i kemi nda edhe njerëzit tanë në proamerikanë dhe antiamerikanë. Dhe, gjithmonë NE jemi proamerikanë dhe ATA janë antiamerikanë.
Na nuk dimë me i lexu zhvillimet sepse kemi qenë kundër Clintonit pasi Bushi pati bërë kërcënimin e njohur të Krishtlindjeve. Pastaj kemi qenë kundër Bushit të ri, sepse Clintoni e bombardoi Serbinë. Pastaj ishim kundër Obamës, sepse Bushi i ri tha “enough is enough – Kosovo should be independent”, pastaj ishim kundër Trumpit se na dukej i çuditshëm dhe prorus. Tash herë jemi me Bidenin për shkak të anagazhimit të tij për Kosovën si nënpresident e herë me Trumpin për shkak të rikthimit që i bëri Kosovës në agjendën amerikane.
A kemi mendu ndonjëherë se ne vetë duhet t’i imponohemi secilës administratë amerikane me seriozitetin tonë si shtet, duke luftu krimin e korrupsionin, duke zhvillu arsimin, shëndetësinë e ekonominë, duke u tregu e dëshmu si partner serioz i Amerikës dhe Europës? Sigurisht se jo. Na jemi mësu me qenë të pushtuar, jemi mësu me pritë mëshirën e dikujt, do me thënë e konsiderojmë mbështetjen rezultat të keqardhjes e mëshirës e jo rezultat i partneriterit.
Tekefundit, administratat e ndryshne amerikane nuk mërziten se kah rreshtohemi na. Por, krejt ky rreshtim e këto rreshtime tregojnë se jemi shndërru në oportunistë, në njerëz grabitçarë e dembela që nuk punojnë vetë, por kqyrin me përfitu ndonjë asht a ndonjë pjesë të presë, duke tundë bishtin me shpresën se “padroni” ka me e vërejtë përkushtimin tonë prej të nënshtruari për gjynah. Kjo logjikë është shndërru në pikën orientuese si reja e Moisiut. Kur e përmend Moisiun s’ka se si te mos neveritem nga kalkulimet tona se a mos na hidhërohen vendet arabe tash që na njohu Izraeli, apo mos hidhërohet Izraeli kur të na njohë ndonjë vend tjetër arab, ndërkohë që shunica e vendeve të botës kanë marrëdhënie të ndërsjella me të dyja palët. E diplomacinë e kemi për gjynah, plot me ushtarë e mercenarë.
Tash, krejt kjo logjikë është shtresuar për shumë dekada e ndoshta edhe më gjatë. Më kujtohet koha e pushtimit serb, kur një polici serb i tekej të ndalonte ose rrahte ndonjë shqiptar për çfarëdo arsye, reagimi qytetar ishte i mjerueshëm. Përtej kësaj, nëse qëlloje në semafor duke pritë dhe dikush e kalonte semaforin në të kuqen dhe aty rastiste ndonjë polic, pa çka se nuk merrej fare me atë punë, njerëzit e tjerë e sillnin kokën në shenjë mospajtimi me atë që e kalonte semaforin e kuq. Në të vërtetë ashtu dukej, por e sillnin kokën për ta denoncuar shkelësin dhe për t’u legjitmuar si një qytetar i rregullt që nuk bënte shkelje dhe që ishte i gatshëm ta arsyetonte secilin veprim të policit ndaj shkelësit. Po flasim për vitet’90.
Pas luftës u bëmë edhe më konformistë, më oportunistë dhe gati po bëhemi mercenarë të rreshtuar, po bëhemi pjesë e rreshtave dhe rreshtimeve, pothuajse papërjashtimisht. Me qenë pjesë e rreshtit, do me thënë mos me pasë mendim tëndin, ose së paku më heqë dorë nga mendimi yt.
Heqja dorë nga mendimi e relativizon karakterin, pasi duhet të pajtohesh me tjetrin patjetër. Për t’u pajtu me tjetrin duhet me luftu me vetveten dhe duhet me e mposhtë vetveten. Kur e mposht vetveten, më nuk e ke problem ta përqafosh secilën ide tjetër – mjafton me i kalkulu hesapet personale.
Kështu, tash ne rreshtohemi, jo më në bazë të parimeve, por në bazë të interesave të kalkuluara. E, ato interesa, nga këto mendje kalkulohen keq, u nënshtrohen kalkulimeve jashtëkontekstuale. Nëse unë synoj një pozitë drejtuese diku, nuk punoj që ta meritoj, por kqyri me gjetë miq – jo miq si miq, por miq si njerëz që kryejnë punë. Për me pasë miq të tillë, duhet me i mbështetë idetë e atij që e shohim si mikun potencial, prandaj edhe rreshtohemi. Jo krejt vetëdijshëm bëhemi ushtarë të një rreshti, qoftë edhe vetëm si numër. Pavërejtshëm e kuptojmë që jemi bërë mercenarë.
Mercenarët janë njerëz që luftojnë për përfitime, njerëz që bëjnë beteja të huaja. Mercenarizmi bëhet në kurriz të etikës, pra edhe të parimeve.