Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, përuruan sot rrugën e re të asfaltuar e cila i lidhë fshatrat Loxhë-Kërstovc-Rasujë-Qallapek, si dhe urën në fshatin Jabllanicë.
Ministri Zharku tha se po përurohen këto dy projekte të rëndësishme për banorët e këtushëm.
“I falënderojmë të gjithë banorët për mirëkuptimin nga ana e tyre si dhe kompaninë për përfundimin e punimeve në mënyrë profesionale. Sot po e përurojmë edhe rrugën e re e cila është 8.5 kilometra dhe me një investim prej 1 milion e 100 mijë euro. Jemi duke i kryer punimet nga Zahaçi në Pejë dhe po vazhdojmë me punime në projektet tjera sipas memorandumit që e kemi me komunën e Pejës dhe kryetarin e kësaj komune Gazmend Muhaxheri”, tha Zharku.
Ndërsa, kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, u shpreh i kënaqur me investimet që ka bërë Ministria e Infrastrukturës në komunën e Pejës.
“Posaçërisht e falënderojmë ministrin Zharku për punimet që janë duke u zhvilluar me një tempo të përshpejtuar. Besojmë se këto rrugë do të jenë në shërbim të zhvillimit ekonomik jo vetëm të komunës së Pejës, por komplet rrafshit të Dukagjinit”, u shpreh Muhaxheri.
Ndërtimi i urës në fshatin Jabllanicë të Pejës ka kushtuar 140 115 euro. Këto dy projekte janë financuar nga Ministria e Infrastrukturës.