Policia britanike është duke i kërkuar tre persona, të cilët u zhdukën në ujin e lumit Temza në Londër.
Policia metropolitan tha se një person është zhdukur në Shadwell Basin të martën në mbrëmje, një tjetër në Waterloo Bridge dhe personi i tretë në rrugën “Kingston High Street”.
Sa i përket personit të zhdukur në Shadwell Basin, policia tha: “Personi, i cili besohet se është 22 vjeç, ishte duke notuar me shokët dhe nuk është parë më mbi ujë. Zyrtarët dhe njësia ujore e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe janë duke e kërkuar personin e zhdukur”.
Zhdukja e këtyre tre personave ndodhi në kohën kur një pjesë e Britanisë së Madhe është përfshirë nga temperaturat e larta mbi 30 gradë.
Të martën, një trup u gjet në një park uji pas raportimeve se një notar është zhdukur në një liqen në Gloucestershire.
Shërbimet e emergjencës shkuan në parkun “Cotswold”, afër qytetit Cirencester, rreth orës 1 e 40 minuta të martën pas raportimeve se një person është zhdukur në ujë.
Në operacionin e kërkimit janë duke marrë pjesë policia, zjarrfikësit dhe personeli shëndetësor, ndërsa është duke u përdorur edhe një helikopter, shkruan “The Guardian”.