Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Kalifornisë Jugore ka zhvilluar një robot 88 miligramësh që lëviz, ngjitet dhe bart ngarkesa duke përdorur muskuj artificialë.
Roboti është emëruar “RoBeetle”, “Roboti Brumbull”.
“Ai është vetëm 15 milimetra i gjatë, gjë që e bën “Robotin Brumbull” një nga robotët autonomë më të lehtë dhe më të vegjël të krijuar ndonjëherë”, tha shpikësi i tij, Xiufeng Yang.
“Ne donim të krijonim një robot, pesha dhe madhësia e të cilit do të ishin të krahasueshme me ato të insekteve të vërteta”, shtoi studiuesi.
Ekipi i Xiufeng Yang zhvilloi një sistem muskulor artificial, i bazuar në një karburant të lëngshëm, në këtë rast metanol, i aftë të sigurojë dhjetë herë më shumë energji sesa një bateri me masë identike.
Tani për tani, sistemi është në gjendje t’i zhvendosë vetëm përpara këmbët e robotit, në sipërfaqe të sheshta, si qelq ose sipërfaqe të përafërt, deri në dy orë radhazi, me ngarkesë deri në 2,6 herë më shumë se pesha e tij mbi kurriz.