Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka thënë se ndihet shumë i zemëruar për shkak të një vendimi kontrovers të VAR-it që shkoi kundër skuadrës së tij në barazimin zhgënjyes 2:2 me Sevillën të dielën, i cili ia mohoi Realit kalimin në krye të La Ligës.
Gjatë rishikimit në ekranin e VAR-it të një penalltie të fituar nga Karim Benzema, gjyqtarët erdhën në përfundim se gjatë një aksioni paraprak në pjesën tjetër të fushës kishte prekje të topit me dorë në zonë nga mbrojtës i Real Madridit, Eder Militao, transmeton Gazeta Express.
Në vend se Real Madridi të fitonte penallti, gjyqtari akordoi penallti për Sevillën. Ivan Rakitic shënoi dhe e kaloi skuadrën e tij në epërsi prej një goli, para se Eden Hazard ta barazonte rezultatin në fund të kohës shtesë.
Gjyqtarët ia kishin shpjeguar vendimin Zidanit, i cili më vonë tha: “Nuk më ka bindur ajo që më thanë ata”.
Duke folur pas ndeshjes, Zidane theksoi: “Jam shumë i zemëruar. Bisedova me gjyqatrin në kërkim të një shpjegimi. Është shumë se koklavitur sepse ne merituam shumë më shumë, por ndodhi cka ndodhi”.
Më vonë në konferencë për media, trajneri francez shtoi: “Nuk kuptoj asgjë nga gjyqtari. Nëse Militao e preku topin me dorë, atëherë edhe dikush nga Sevilla e bëri. Nuk më bind ajo që ma thanë ata.”
“Unë kurrë nuk flas për gjyqtarët, por sot jam i zemëruar. Mos më pyetni më për këtë. Ne do të luftojmë deri në fund, deri në vdekje”.
Barazimi 2:2 me Sevillën në një ndeshje dramatike në shtëpi nënkupton se Real Madridi ngel në vendin e dytë me 75 pikë, dy më pak se lideri Atletico Madrid dhe baras me pikë me Barcelonën, tri ndeshje deri në përfundim të sezonit 2020/21.
Madridi duhet të shpresojë në dështimin e rivalit, Atletico, dhe njëkohësisht t’i fitojë të tri ndeshjet e mbetura për ta fituar titullin.