Zihen atllarët, shkelmat i hanë gomarët!

Prishtinë | 13 Tet 2022 | 15:10 | Nga Artan Fuga

Mirë kryeministri i Shqipërisë nuk u kuptua se përse gjeti rastin t’i hynte detit këmbë në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës, duke i fyer dhe i sulmuar kot më kot!

Çfarë do të sillte të mirë kjo gjë për ish luftëtarët e Kosovës që duhet thënë se mbahen kot në burg kur mund të hetohen në gjendje të lirë!

E rëndoi edhe më shumë gjendjen e tyre, e politizoi, çka do të ketë pasoja ndofta mbi ta! Nuk ka kanale diplomatike Shqipëria për t’i ndihmuar ata, por duhen fjalime të gjata me retorika për të treguar sa të zotët jemi! Ja plasim Evropës bam si Isa Boletini që vajti te kryeministri anglez a ku di unë se ku me dy kobure në brez, njërën e dorëzoi tjetrën e fshehu poshtë setrës! Hashim Thaçi m’u duk në atë fjalim si pretekst për retorikë i shkreti!
Po mirë, i yni, hajde mo, atë eksperiencë dhe traditë të venies së botës në grykë të topit kemi, por ata grekër, rumunë, bullgarë a ku di unë çfarë ishin, pse gjyqin e Shqipërisë dhe të politikës së jashtme të Shqipërisë do të bënin aty?

Mos duan që Shqipëria të prishi marrëdhëniet diplomatike, si me Iranin, edhe me Turqinë? Cfarë dreqin donin? Kjo është detyra e tyre? Atyre nuk u duhej dhënë përgjigje fare jo të hyhej në debate të provokuara kot e më kot!

Kurse anulimi darkës sepse kryeministri i Shqipërisë u soll jo konform sipas etikës së tyre ishte thela mbi bishtin! Po pse o diplomaci është kjo? E ç’lidhje ka të hash darkë me atë që nuk ndan mendimet si ty, që edhe mbaso nuk të pëlqen!

M’u dukën si vjehrra e një shokut tim që nga që u zemërua me nënën e këtij djalit, pra me krushkën e vet, nuk i erdhi në datëlindjen e gocës, pra të mbesës së vet!

O pika thuaj!

Ore mos ka ndikuar kovidi në kësi gjykimesh!

Gjithsesi kjo ngjarje, e rastit, prej budallikut, apo e provokuar, nuk e përjashtoj fare, ishte një dështim fatal diplomatik, i dyanshëm, një mungesë përgjegjësie për fatet e Evropës dhe të integrimit evropian të Shqipërisë, çka nëpër parlamente ndodh, sepse edhe ka amatorë, për të mos thënë që ishte për ta shtyrë edhe më shumlë Shqipërinë larg Evropës, nga Mesdheu drejt oqeanëve pa busull!

Mirë që e pamë dhe e dëgjuam me sytë tona se kur raportojnë gazetarë që aty, o Zot, në vend të rrëfejnë, bëjnë interpretime, japin gjykime, bëjnë urrrraaaa!

Nuk dua t’a besoj, por nuk kam si mos e them që duhet mbajtur në kujtesë!

Si shumë po përsëriten incidentet, me Iranin, me Rusinë, me Kosovën, me Bullgarinë, me Evropën e Bashkuar, me Italinë, dhe tani na edhe me Këshillin e Evropës!

Shqipëria ka nevojë në politikën e jashtme të ndjekë akset e saj, por t’i ulë tonet një çikë, se prodhojmë zhurma më shumë se Zvicra, Kroacia, Sllovenia, Luksemburgu, Suedia, të marra së bashku, kot fare!

Zihen atllarët, por shkelmat i hanë gomarët!

Të ngjashme