Fabrika e përpunimit të mishit “Meka Halal Food” ka pësuar nga një zjarr që ka kapluar një pjesë të objektit të saj që gjendet në komunën e Dragashit.
Pronari i kësaj fabrike, Burim Piraj, postoi një video në Facebook ku shihen dëmet nga zjarri që sipas tij është shkaktuar nga problemet me rrymë.
“Për shkak te ndërprerjeve të rrymës, e që në vendin ku ndodhet fabrika jonë janë të shpeshta, ka ardhur deri tek ndezja e instalimit elektrik”, tha Piraj për kallxo.com
Ai tha se probleme të ngjashme kanë pasur edhe në të kaluarën dhe sipas tij dëmet materiale janë të mëdha.
Megjithatë nga kompania përgjegjëse për shpërndarjen e rrymës KEDS, thonë se zjarri nuk ka qenë shkak i problemeve me rrymë të shkaktuara nga kjo kompani.
Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it, tha se ndërprerja e rrymës ishte paralajmëruar.
“Largpërçuesi i Dragashit, prej nga furnizohet edhe konsumatori ne fjale sot ka qene ne shkyçje te planifikuar për mirëmbajtje preventive nga ora 09:00-13:00. Ndërsa, konsumatorit ne fjale i është djegur një kabllo e tij rreth orës 11:00. Por, ka qene duke u furnizuar nga gjeneratori i tij. KEDS i ka njoftuar te gjithë konsumatorët paraprakisht për këtë ndërprerje përmes mediave, ndërsa konsumatorin ne fjale e ka njoftuar edhe përmes komunikimit direkt. Pra, rasti ne fjale është intern dhe nuk ka te beje me KEDS”, tha Buzhala.
https://www.facebook.com/pirropiraj/videos/10217258208270371/