Një shtetas shqiptar 45 vjeç ka gjetur vdekjen dhe dy të tjerë janë plagosur lehtë, prej një zjarri që shpërtheu mbasditen e së hënës në një fabrikë në zonën industriale në Volos të Greqisë.
Në tentativën për t’u larguar, viktima u mbyt nga gazrat dhe tymi dhe u gjet prej zjarrfikësve në shkallët dalëse të frontit të punës, vetëm dy metra larg daljes prej ambientit që u kthye në kurth vdekjeprurës për të.
Dy punonjësit e tjerë u dërguan në spital pasi edhe ata kishin simptoma asfiksie, por pasi morën ndihmën e parë, u larguan për në banesat e tyre.
Në zonë mbërritën 10 zjarrfikëse, si dhe forca të policisë e ambulanca, por ishte e pa mundur të shpëtohej viktima, shkruan Top Channel.
Mbas 3 orësh përpjekje, zjarrfikësit munden të vënë flakët nën kontroll.
45-vjeçari është babai i 3 fëmijëve të mitur dhe banonte në qytezën Aliqes në Volos. Trupi i tij u dërgua në morg, ndërsa pritet ekzaminimi prej mjekut ligjor për të konfirmuar shkaqet e vdekjes.
Fabrika e ushqimeve në të cilën ndodhi aksidenti i së hënës ishte e mbyllur prej disa vitesh dhe askush nuk e di se çfarë punimesh po kryheshin në të, pasi sipas policisë, askush prej punëdhënësve të tre shqiptareve nuk u gjet në vendin që shpërtheu zjarri nga frika e ndonjë arrestimi për shkelje të kushte të sigurisë në punë.
Policia tha se po heton lidhur me ngjarjen, ndërsa dëshmia e dy shqiptarëve të tjerë, pritet të hedhë dritë mbi atë që ndodhi.