Dhjetëra zjarrfikës vazhdojnë të përballen me një zjarr masiv dhe që rritet shpejt në zonën e Lancashire në Britaninë e Madhe. Dy zjarre të mëdha u bashkuan në një për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta, duke detyruar autoritetet lokale që të shpallin gjendjen kritike.
Policia britanike i kërkoi këmbësorëve dhe drejtuesve të mjeteve motorike që të qëndrojnë larg zonës së zjarrit në afërsi të Boltonit. Zjarrfikësve nga i gjithë vendi janë dërguar në Lancashir për të luftuar flakët, ndërsa Britania po përballet edhe më një zjarr tjetër në zonën e Manchesterit.
Dy vatrat bashkë kanë mbuluar zonën me tym dhe hi, arsye për të cilat autoritetet lokale i sugjeruan njerëzve që të mbajnë dyert dhe dritaret mbyllur, transmeton tch.
Zjarri në Lancashire, i cili nisi të enjten, shtrihet tashmë në një sipërfaqe prej 5 km katror dhe zjarrfikësit thonë se po përparon shumë shpejt, duke e bërë thuajse të pamundur frenimin e tij.
Policia bëri me dije se ka arrestuar një 22-vjeçar nga Boltoni, pasi dyshohet se zjarri masiv është ndezur me dashje. Fatmirësisht deri tani nuk ka dëme në njerëz dhe prona, ndërsa fauna dhe flora e zonës kanë marrë një goditje të fortë nga flakët.