Zjarret në Australinë juglindore dalin jashtë kontrollit

Prishtinë | 04 Jan 2020 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Zjarret kanë dalë rrezikshëm jashtë kontrollit në bregun lindor të Australisë të shtunën, të nxitura edhe nga temperaturat e larta dhe nga erërat e fuqishme që kanë detyruar zjarrfikësit të luftojnë për të shpëtuar jetë dhe prona.

Deri të premten mbrëma, shteti Victoria kishte 14 zjarre në nivele të emergjencave apo të paralajmërimit për evakuim, New South Walesi kishte 11 zjarre në nivel emergjent, kurse mbi 150 zjarre tjera ishin regjistruar në shtetet tjera. Ka edhe zjarre të reja që janë ndezur, e edhe të tjera që kanë dalë jashtë kontrollit.

“Janë disa zjarre që po bashkohen – zjarre shumë të fuqishme, shumë të mëdha e me intensitet të lartë që po krijojnë stuhi të gjeneruara nga zjarri”, ka thënë komisioneri i shërbimit të zjarrfikjes në New South Wales (RFS) Shane Fitzsimmons, raporton Reuters.

Siç raporton CNN, tri zjarre janë bërë bashkë për të formuar kështu një vatër zjarri më të madhe se Manhattani.

Sipas Departamentit për Ambient, Tokë, Ujë dhe Planifikim të Gippslandit, zjarret e bashkuara në rajonin Omeo të shtetit Victoria kanë përfshirë një hapësirë prej 6,000 hektarësh.

Byroja e Meteorologjisë (BOM) tha se kushtet po përkeqësohen me shpejtësi të madhe si pasojë e ndryshimit të drejtimit të erërave, transmeton Koha.net.

Kryeministri australian, Scott Morrison, ka thënë se bilanci i viktimave në tërë vendin ka mbërritur në 23, ndërsa 12 nga ta kanë vdekur vetëm këtë javë.

Autoritetet vazhdimisht po kërkojnë nga qytetarët që të largohen nga zonat e rrezikshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme