Zjarret në Greqi hyjnë në ditën e tretë, i afrohen Athinës

Prishtinë | 21 Maj 2021 | 11:37 | Nga Ekonomia Online

Zjarrfikësit grekë të premten po e vazhdojnë luftën me flakët për të tretën ditë me radhë. Gjendja në pyjet me pisha po përkeqësohet nga era. Qindra njerëz rreth 60 kilometra në perëndim të Athinës janë detyruar që të zhvendosen.

Beteja me zjarret u zhvillua nga zjarrfikësit edhe gjatë natës. Disa shtëpi janë djegur, ndërsa në qiellin mbi fshatrat bregdetare gjatë ditës shihej tym i zi. Ndërkohë policia u ka bërë thirrje banorëve që të largohen nga shtëpitë. Mbi 10 fshatra janë evakuuar, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Jemi optimistë se gjatë ditës, me përmirësimin e kushteve të motit, zjarri do të vihet nën kontroll”, tha zëvendësministri i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias.

Zjarri fillimisht shpërtheu në një resort për pushime në Gjirin e Korinthit të mërkurën dhe vazhdoi drejt lindjes, duke u ndihmuar nga era, dhe arriti në provincën Attica të enjten.

Deri më tani nuk është raportuar për ndonjë person të vdekur apo të lënduar. Rreth 270 zjarrfikës, 18 aeroplanë e tre helikopterë po luftojnë me zjarrin.

Greqia ka kujtime të këqija nga zjarret e vitit 2018 që e kishin përfshirë qytezën Mati, afër Athinës. Për pak orë kishin mbetur të vdekur 102 persona.

Të ngjashme