Zjarrfikësit e Ferizajt, të hënën, kanë intervenuar për fikjen e një zjarri në një sipërfaqe bujqësore në rrugën regjionale Ferizaj-Lipjan.
Halil Osmani, komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj, ka kërkuar nga qytetarët të kenë kujdes dhe të mos ndezin zjarre nëpër parcela bujqësore, sepse ato po paraqesin ndotje të ambientit dhe njëkohësisht po shkaktojnë telashe për banorët e tjerë. Sipas tij, ndezjet e vazhdueshme të zjarreve po e vështirësojnë edhe punën e zjarrfikësve, derisa brenda ditës intervenojnë në dhjetëra raste, shkruan sot Koha Ditore.
“Kemi raste që brenda ditës intervenojmë në 28 raste për fikjen e zjarreve nëpër pyje dhe fusha. Të hënën, në orët e paradites, kemi intervenuar në rrugën regjionale Ferizaj-Lipjan derisa banorët në dalje të Ferizajt kanë ndezur barishtet për ta punuar pastaj tokën bujqësore. Kjo çështje po paraqet telashe për stafin e zjarrfikësve dhe për qytetarët e tjerë, derisa mund të shkaktohen dëme afër shtëpive të banimit. Po ashtu, edhe ndotja e ambientit është shumë e madhe. Prandaj, kërkojmë nga qytetarët të kenë kujdes rreth kësaj çështjeje, sepse parashihen edhe gjoba me ligj për ndotësit e ambientit”, ka thënë Halili.