Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka protestuar sërish në shenjë pakënaqësie me kushtet e punës dhe moskompensimin për rrezikshmëri në punë, raporton Ekonomia Online.
Zjarrfikësit, të cilët dolën në protestë pavarësisht motit me shi, u shprehën të vendosur për kërkesat drejtuar ekzekutivit kosovar.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve në Kosovë, Muharrem Beka, tha se gjendja e shërbimeve të zjarrfikësve është shumë alarmante dhe heshtja e institucioneve për vite me radhë e ka shkaktuar këtë situatë.
“Kjo neglizhencë e institucioneve është e pakuptimtë. U kemi dhënë hapësirë, u kemi dhënë kohë, u jemi drejtuar prej vitit 2021, me këtë qeveri dhe qeveritë e tjera prej vitit 2008, dhe kjo gjendje, e cila nuk ka ecur asnjë hap përpara, ka shkaktuar këtë revoltë e cila me të vërtetë është e arsyeshme”, theksoi Beka.
Ai apeloi deri te qeveria dhe deputetët që të ndërmarrin hapa për kërkesat e tyre.
Ndër kërkesat kryesore të zjarrfikësve janë që të sigurohet buxhet emergjent për ta, të kthehet pagesa e rrezikshmërisë nga muaji shkurt i këtij viti, në mënyrë retroaktive, të sigurohen kushte më të mira të punës me pajisje personale dhe rroba mbrojtëse, sigurime shëndetësore dhe të rregullohet aspekti menaxhues-buxhetor i zjarrfikësve.
Ai tha që as qeveritë e kaluara dhe as e tashmja nuk kanë bërë asgjë, por ai kërkoi nga Qeveria e tanishme të analizojë gjendjen e krijuar ndaj zjarrfikësve dhe t’i plotësoj kërkesat e tyre.
“Sot kërkojmë që urgjentisht kjo gjendje duhet të trajtohet, sepse nuk do të tolerojmë. Përderisa të definohen kompetencat menaxhuese mes komunave dhe nga ministria të ndahet një buxhet, e të mos kemi problem çdo vit”.
Si tha se zjarrfikësit nuk pajtohen me vendimin e Qeverisë për heqjen e shtesës së rrezikshmërinë. “Do të vazhdojmë protestat nëse nuk zbatohen kërkesat tona”, paralajmëroi Beka.